Kandidatja e PDK-së për deputete me numrin 60, Besa Ismaili, ka marrë pjesë në një takim me biznese dhe ekonomistë të njohur, të organizuar nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Sipas Ismailit, takimi dëshmoi përkushtimin e Hamzës për fuqizimin e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke e cilësuar atë si një platformë të rëndësishme për diskutimin e politikave ekonomike dhe sfidave me të cilat përballen bizneset.
Ajo bëri të ditur se në këtë takim ishte i ftuar edhe babai i saj, të cilin e vlerësoi si një nga kuadrot e para të ekonomistëve në Kosovë.
Ismaili theksoi se, nëse zgjidhet deputete, do të mbështesë planin ekonomik të Bedri Hamzës për zhvillimin e vendit, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve të punësimit, fuqizimin ekonomik dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
“Si kandidate për deputete, zotohem se do të mbështes planin e detajuar të z. Hamza për të fuqizuar ekonominë në të gjitha sferat, duke përfshirë me prioritet përmirësimin e kushteve të punësimit, fuqizimin ekonomik dhe përkrahjen e projekteve inovative për gratë sipërmarrëse”, ka deklaruar Ismaili.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve zgjedhore të PDK-së, me fokus prezantimin e programit ekonomik dhe vizionit për zhvillimin e vendit.






