15.5 C
New York
Sunday, May 19, 2024

Buy now

Beqaj: Rusia mund ta pushtojë por jo edhe ta sundojë Ukrainën

- Advertisement -

Politologu kosovar, Behlul Beqaj nuk e përjashton mundësinë që Rusia ta pushtojë Ukrainën, por ai beson se ajo nuk do të jetë në gjendje ta sundojë atë.

Në një intervistë në emisionin “Imazhi i ditës” në RTK, Beqaj ka thënë se tash për tash pasiguria është e vetmja gjë që është e sigurtë në raportet e krijuara ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Duke marrë parasysh supremacinë ushtarake të Rusisë nuk e përjashtoj mundësinë që të pushtohet Ukraina, por mendoj se praktika dhe historia po tregojnë që pavarësisht se çfarë fuqie ka shteti, nëse atë fuqi në ndërkohë nuk ka aftësi për ta shndërruar në drejtësi, ndërsa drejtësinë nuk e shndërron në bindje të atyre të cilët jetojnë në atë vend, çështja e pushtimit mund të jetë çështje e aktit, ndërsa çështja e sundimit është e pamundur”, ka theksuar Beqaj.

Kjo sipas Beqajt është dëshmuar përgjatë historisë në Luftën e Parë e Luftën e Dytë Botërore, pastaj në luftën e Vietnamit, atë të Kamboxhës, Afganistanit etj.

“Pra, mendoj se kjo fitore do t’i sjellë makth Putinit dhe Rusisë për dy arsye: Pasojat e izolimit do të kenë efekte të jashtëzakonshme për shkakun se do të ketë bllokadë ekonomike, politike, diplomatike, sportive, kulturore dhe informative dhe kjo në kuptimin afatgjatë do të shkallëzohet dhe izolimi do ta bëjë atë që nuk mund ta bëjë veprimi me sulmin direkt. Nërkohë po shihet se edhe në Rusi po lëvizin disa grupacione në kuptimin e rezistencës, siç ishin klerikët dhe disa intelektualë të cilët dolën kundër pushimit të Ukrainës, si dhe shumë qytetarë të cilët u arrestuan për shkak të protestave. Prandaj mendoj se në këtë periudhë do të ndodhin këto dy veprime, të cilat do ta kthejnë në makth synimin diktatorial të satrapit Putin”, ka nënvizuar Beqaj.

Sa i përket paralajmërimeve të sotme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se Ukrainën e presin ditë të rënda, Beqaj ka thënë se këto janë deklarata të bazuara në informacione të cilat vijnë nga terreni dhe nga ekspertiza e ekspertëve kompetentë të çështjeve të sigurisë. Ai mendon se kjo luftë do të ketë shumë sakrifica e gjak, por se fundi sipas tij do të jetë në favor të atyre që sakrifikojnë për atdheun e tyre.

“Sa më probleme të mëdha të ketë aq më afër do të jetë epilogu i këtij agresioni. Nuk mendoj se çështja do të përfundojë me një akt. Ky është një proces i mundimshëm, me plot sakrifica e gjak, por në fund mendoj se epilogu do të jetë i favorshëm për të gjithë ata që janë në gjendje të sakrifikojnë për atdheun e vet. Në këtë situatë ne duhet të solidarizohemi dhe të bashkëndjejmë me ukrainasit, sepse pak a shumë është një situatë e njëjtë me atë që ne kemi kaluar para më shumë se 20 vjetësh”, ka përfunduar Beqaj.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit