Bellingham “Topi i Artë” është rikthyer zyrtarisht

- Advertisement -

Sezoni 2025/26 ishte jashtëzakonisht zhgënjyes për Jude Bellingham. Ai nuk arriti ta zhvillonte një fazë normale përgatitore me Xabi Alonson, pasi iu nënshtrua një operacioni për një lëndim të vazhdueshëm në shpatull.

Kur u rikthye në fund të shtatorit, trajneri i ri i Real Madridit e përdori në një rol më defanziv, duke e kufizuar ndjeshëm ndikimin e tij në lojë.

Alonso u shkarkua në janar, ndërsa rezultatet e skuadrës vazhdonin të përkeqësoheshin.

Pas tij, Álvaro Arbeloa nuk arriti ta ndalonte rënien e Real Madridit. Bellingham e mbylli sezonin me vetëm tetë gola dhe pesë asistime në 40 paraqitje – statistikat më të dobëta të karrierës së tij në Spanjë.

Madje, pati edhe kritikë që e vunë në dyshim nëse ai e meritonte një vend titullari me Anglinë në Kupën e Botës 2026.

Por, Bellingham nuk është ndikuar kurrë nga zhurma jashtë fushës. Përkundrazi, kritikat duket se vetëm e kanë motivuar më shumë.

Ish-talenti i akademisë së Birmingham Cityt u rikthye fuqishëm në Botëror, duke qenë njëri prej liderëve të Anglisë në rrugëtimin deri në gjysmëfinale.

Tani ai po vazhdon aty ku e la në Amerikën e Veriut, me një Real Madrid të rilindur nën drejtimin e José Mourinhos.

Start perfekt

Bellingham e pati vetëm një javë për t’u stërvitur me Mourinhon pas rikthimit nga pushimet pas Botërorit, por trajneri portugez nuk hezitoi ta vendoste menjëherë në formacionin titullar në ndeshjen hapëse ndaj Espanyolit.

Dhe anglezit iu deshën vetëm nëntë minuta për të lënë gjurmë. Arda Güler e ekzekutoi një goditje të lirë nga krahu i majtë dhe Bellingham u shkëput bukur nga mbulimi për të shënuar me kokë.

Real Madridi më pas pati vështirësi në ritmin e lojës, por arriti të fitojë 2-1 falë golit të Carlos Espit në minutat shtesë.

Bellingham ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë gjatë 80 minutave të tij. Ai i fitoi pesë duele në tokë dhe e përfundoi ndeshjen me 95 për qind saktësi në pasime.

Pak më vonë, ai ishte pranë golit të dytë, por goditja e tij me kokë pas një korneri të Güler përfundoi në traversë.

Paraqitje prej “luftëtari”

Katër ditë më vonë, Real Madridi e priti Real Sociedadin në “Santiago Bernabéu”.

Kylian Mbappé ishte hero i ndeshjes me një “hat-trick” në fitoren 4-1, por Bellingham ishte po aq i rëndësishëm në lojën e skuadrës.

Anglezi asistoi për Mbappén tek goli i dytë pas një kombinimi të bukur, ndërsa pak minuta më vonë e fitoi topin në zonën e Real Sociedadit dhe ia serviri Vinicius Juniorit për të shënuar.

Puna e tij pa top ishte po aq mbresëlënëse. Bellingham i fitoi nëntë nga 14 duelet në tokë, i regjistroi katër rikuperime dhe i përshkoi pothuajse nëntë kilometra.

Kur u zëvendësua në minutën e 77-të, tifozët e Real Madridit e përcollën me ovacione.

Ish-lojtari i Borussia Dortmundit po e tregonte sërish atë energji dhe agresivitet që e karakterizuan gjatë gjithë verës me Anglinë.

“Ndihem më i lirë”

Në ndeshjen e radhës ndaj Malagës, Bellingham ishte përsëri njëri prej protagonistëve kryesorë.

Në minutën e 19-të, topi përfundoi te anglezi rreth 27 metra larg portës. Ai avancoi drejt zonës, i shmangu disa kundërshtarë dhe e dërgoi topin në rrjetë me shumë qetësi.

Shtatë minuta më vonë, ai u ngjit për të goditur me kokë pas një goditjeje të Mbappés.

Goli përfundimisht u regjistrua si autogol i portierit Alfonso Herrero, por Bellingham ishte ai që e shkaktoi situatën.

Real Madridi fitoi 4-0 dhe i mori nëntë pikë nga nëntë të mundshme.

Kur Bellingham u zëvendësua në minutat e fundit, tifozët në “Bernabéu” nisën të këndonin “Hey Jude”.

“Ndjehem më i lirë tani. Kam më shumë liri për të lëvizur dhe për të shkuar lart e poshtë në fushë, në varësi të asaj që kërkon ndeshja. Po argëtohem shumë dhe kjo është arsyeja pse po performoj mirë”, deklaroi Bellingham.

Marrëveshja me Mourinhon

Një pjesë të madhe të këtij rikthimi në formën më të mirë Bellingham ia atribuon vetë Mourinhos.

Trajneri portugez e ka parë se sa efektiv ishte anglezi në rolin e numrit 10 me Anglinë në Botëror dhe ka vendosur ta përdorë në të njëjtën mënyrë edhe te Real Madridi.

Mourinho po e përdor një skemë 4-2-3-1, duke i dhënë Bellinghamit më shumë liri për të sulmuar.

“Bellingham ndonjëherë mbrohej si një mbrojtës i majtë sezonin e kaluar. I thashë se nuk dua ta shoh më këtë. Bëmë një marrëveshje”, deklaroi Mourinho.

Për ta nxjerrë maksimumin nga Bellingham, ai duhet të jetë sa më pranë portës kundërshtare.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur Xabi Alonso i kërkonte të merrte më shumë përgjegjësi në fazën defanzive për t’ju dhënë më shumë liri Mbappés dhe Viniciusit, Mourinho dëshiron që sulmuesit t’i marrin vetë përgjegjësitë e tyre defanzive.

Kjo ia lejon Bellinghamit të qëndrojë në qendër dhe të jetë vazhdimisht i përfshirë në aksionet sulmuese.

Ai vazhdon të jetë një lojtar i jashtëzakonshëm në rikuperimin e topit, por tani e ka edhe lirinë për ta sulmuar zonën.

“Lojtarët shumë të mirë duan të luajnë së bashku. Ata duan të luajnë me futbollistë që e kanë të njëjtën cilësi dhe të njëjtën shpejtësi mendimi. Unë gjithmonë kam thënë se i dua lojtarët më të mirë. Dhe ajo që shoh është se të tre janë shumë të mirë”, tha Mourinho për Bellinghamin, Mbappén dhe Viniciusin.

A mund ta fitojë Topin e Artë?

Mourinho ka deklaruar se Bellingham “nuk është vetëm një lojtar i madh, por edhe një lider”, ndërsa e ka futur atë në garën për Topin e Artë.

Megjithatë, për edicionin e këtij viti, Bellingham duket se e ka shumë të vështirë t’i rivalizojë favoritët kryesorë, pasi Real Madridi e mbylli sezonin e kaluar pa asnjë trofe.

Një Botëror i mirë nuk mjafton për ta kompensuar një sezon të dobët në nivel klubesh.

Megjithatë, situata mund të jetë krejt ndryshe në vitin 2027 nëse Bellingham vazhdon me këtë ritëm.

Ai tashmë i ka katër kontribute direkte në gola në sezonin e ri dhe mund të synojë ta tejkalojë sezonin e tij të parë te Real Madridi, kur i shënoi 23 gola dhe i dha 13 asistime.

Ajo formë ia siguroi atij vendin e tretë në votimin për Topin e Artë në vitin 2024, pas Vinicius Juniorit dhe fituesit Rodri.

Tani Bellingham duket se është rikthyer edhe më i fortë. T’i mposhtë Mbappén dhe Viniciusin në garën për vëmendjen kryesore gjatë nëntë muajve të ardhshëm nuk do të jetë aspak e lehtë, por anglezi duket se nuk ka kufij.

Fitimi i Topit të Artë mund të jetë hapi i radhës në një karrierë që tashmë e ka shndërruar Jude Bellinghamin në njërin prej talentëve më të jashtëzakonshme të gjeneratës së tij.

Të ngjashme

Të fundit