Kandidati i PDK-së për deputet me numrin 109, Bekim Haxhiu – Kamishi, ka bërë të ditur se në Skenderaj është shënuar hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar mobilizimin e madh të qytetarëve për rikthimin e Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje.
Sipas Haxhiut, qytetarët e Drenicës janë të vendosur për t’i dhënë fund krizave të vazhdueshme dhe për të mbështetur programin e PDK-së për zhvillimin e vendit.
“Bashkëqytetarët tanë janë të mobilizuar për ta rikthyer PDK-në aty ku e ka vendin – në Qeveri, për t’i ndalur krizat e vazhdueshme dhe për ta ndryshuar Kosovën ashtu siç PDK di dhe e ka dëshmuar”, ka deklaruar ai.
Haxhiu tha se entuziazmi i qytetarëve në Drenicë reflekton besimin në fitoren e PDK-së, duke përmendur edhe ish-krerët e partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Në fjalën e tij, ai i ka dërguar urime për ditëlindje kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duke shprehur shpresën për rikthimin e tij dhe festimin e fitoreve të ardhshme.
“Drenica i ka nisur gjithmonë ndryshimet dhe do t’i nisë edhe më 7 qershor”, është shprehur Haxhiu.
Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në hapjen e fushatës, duke e cilësuar mobilizimin në Skenderaj si sinjal të fuqishëm për rezultatin e zgjedhjeve.






