Kandidati i PDK-së për deputet me numrin 109, Bekim Haxhiu, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Skënderaj, ku ka theksuar rolin e rinisë në proceset politike dhe shoqërore në vend.
Haxhiu ka deklaruar se historia ka dëshmuar se sa herë që rinia është angazhuar për t’u prirë proceseve të rëndësishme, kanë ndodhur ndryshime të mëdha.
Sipas tij, të rinjtë e Skënderajt janë të mobilizuar për të mbështetur ndryshimin që, siç tha ai, i nevojitet Kosovës dhe që mund të realizohet nga PDK-ja.
Ai ka vlerësuar se rinia do të ketë rol kyç edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, duke i ftuar të rinjtë që të mbështesin programin e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në 7 qershor, rinia e Skënderajt dhe e gjithë Kosovës do të rreshtohet për ndryshimin dhe për një të ardhme më të mirë për vendin”, është shprehur Haxhiu gjatë takimit.
Fushata e PDK-së po vazhdon nëpër komuna të ndryshme të Kosovës me takime dhe aktivitete elektorale në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.






