Protesta në Zvërnec, Rama-Tsiprasit: Mos politizoni ngjarjen me deklarata nacionaliste

- Advertisement -

Në reagimin e tij, Rama thekson se incidenti nuk duhet të politizohet dhe se respekti për sundimin e ligjit dhe institucionet shqiptare mbetet prioritet. Sipas tij, ngjarja në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronës, por në një situatë të tensionuar nga dezinformata të gjera dhe përpjekje për të penguar aktivitetet legjitime të investitorëve privatë, të cilët operojnë në tokë private me dokumentacion të rregullt.

Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi përpjekjet për ta shndërruar një incident të izoluar në një çështje më të gjerë politike, duke theksuar se faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklaratat politike të vendeve të tjera.

“Uroj të jesh mirë! Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste!

Incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar.

Çdo dëmtim ndaj çdo individi, shqiptar, grek apo cilido qoftë, është për të ardhur keq. Rrethanat u sqaruan me shpejtësi, duke çuar në arrestimin e punonjësve të sigurisë private përgjegjës, heqjen e licencës së kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.”, shkruan Rama në X.

Rama shtoi se pakica greke në Shqipëri ka të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët dhe bashkëpunimi me qeverinë greke vazhdon për forcimin e tyre, ndërsa i kërkon Tsipras që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në fakte dhe respekt për institucionet, duke shprehur besimin se partia e re e ish-kryeministrit grek mund të veprojë politikisht pa mbështetur argumente nacionaliste ose spekulime mbi fqinjët.

“Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Për aq sa më kujtohet nëse pozicionet do të ishin të kundërta, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë shumë më pak vendimtar. Por ky nuk është thelbi. Thelbi është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të shndërrohet një incident i izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një gjë e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, sidomos nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën europiane të shekullit XXI.

Angazhimi i Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare nuk është çështje leverdie politike. Ai është detyrim kushtetues, angazhim europian dhe një realitet i pasqyruar në legjislacionin dhe institucionet tona. Siç e kam theksuar edhe më parë, përfshirë kur u jam përgjigjur shqetësimeve të tua lidhur me rrugën europiane të Shqipërisë në çështje që kanë përfshirë grekët etnikë, jam plotësisht dakord se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të ndikuara nga konsiderata të politikës së brendshme.

Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri është një pasuri që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ajo gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë dhe as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke”, tha Rama.

Rama shprehet se shpreson që partia e re e ish-kryeministrit grek të mos ndjekë modelet tradicionale të debatit politik të mbështetura te retorika nacionaliste apo instrumentalizimi i çështjeve që lidhen me vendet fqinje për përfitime elektorale.

“Prandaj besoj se do të biesh dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë u shërbehen më së miri fakteve dhe jo hamendësimeve, respektit për shtetin e së drejtës dhe institucionet e vendeve fqinje dhe jo spekulimeve politike. Duke të uruar sukses në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia jote e re të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të vjetra të debatit publik, përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetje përmes retorikës patriotike dhe përfundimeve të nxituara mbi fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane.

Në fund të fundit, Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Gjithë të mirat, miku im i vjetër!”, shkruan Rama.

Reagimi i kreut të qeverisë shqiptare vjen pasi një ditë më parë partia e Tsipras, ELAS, deklaroi se po ndjek me “shqetësim të madh” incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku sipas saj mbeti i plagosur një shtetas grek.

Në deklaratën e saj, ELAS i bëri thirrje qeverisë greke të ndërmarrë hapat e nevojshëm diplomatikë dhe theksoi se respektimi i sundimit të ligjit, i të drejtave të pronës dhe i të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek përbëjnë kushte të rëndësishme për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Qeveria duhet të ndërmarrë hapat e duhur për të protestuar dhe për të theksuar se një parakusht për rrugën evropiane të përparimit të Shqipërisë është respektimi i sundimit të ligjit, si dhe i të drejtave të pronës dhe të drejtave të vetëvendosjes së Minoritetit Kombëtar Grek”, thuhej në reagimin e partisë së Tsipras.

Më herët, edhe Athina zyrtare shprehu shqetësimin për incidentin në Zvërnec, duke kërkuar respektimin e plotë të sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Të ngjashme

Të fundit