Behrami -VV-së: Bllokues keni qenë në 2014, bllokues jeni edhe në 2026

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe procesin e konstituimit të Kuvendit, duke vënë në pah, sipas tij, dallimet rrënjësore mes zgjedhjeve të vitit 2014 dhe atyre të vitit 2026.

Behrami ka renditur dhjetë pika, duke argumentuar se situata aktuale dallon dukshëm nga ajo e vitit 2014. Sipas tij, në vitin 2014 Vetëvendosje nuk e kishte pranuar rezultatin zgjedhor, ndërsa PDK-ja e pranon rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2026.

Ai thekson se në zgjedhjet e vitit 2026, VV-ja i ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa në vitin 2014, sipas tij, PDK-ja nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë.

Një tjetër dallim që Behrami e veçon është edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2025. Ai pretendon se ky vendim përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, duke e cilësuar këtë si afat mandator.

“Jo të fillojë konstituimi, por të përfundojë”, ka shkruar Behrami, duke e krahasuar këtë me situatën e vitit 2014, kur, sipas tij, nuk kishte një vendim të qartësuar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Behrami ka akuzuar gjithashtu partinë fituese për “simulim të dialogut”, ndërsa ka thënë se në vitin 2014 PDK-ja kishte kërkuar dialog real, por ishte bojkotuar nga blloku opozitar.

Në fund, deputeti i PDK-së e ka drejtuar një pyetje ndaj kundërshtarëve politikë:

“Bllokues keni qenë në 2014. Bllokues jeni edhe në vitin 2026. Pyetja është: a dini diçka më shumë sesa të mashtroni dhe manipuloni qytetarët?”

 

Të ngjashme

Të fundit