Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami ka fajësuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për situatën e krijuar politike në vend, pas përfundimit të afatit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, e që çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Behrami tha se përgjegjësia kryesore për shkuarjen në zgjedhje i takon Kurtit, duke e akuzuar atë për krijim të qëllimshëm të krizave politike.
“Unë mendoj që qytetarët e Republikës së Kosovës si kurrë më parë e kanë tashmë të qartë agjendën për të krijuar kriza nga Albin Kurti. Edhe herën e kaluar, edhe sidomos tash, përgjegjësi kryesor pse Republika e Kosovës, pse Kosova shkon në zgjedhje është Albin Kurti, i cili fshihet prapa marrëveshjes së Ohrit, të cilën vetë e ka pranuar dhe e cila parasheh autonomi substanciale për serbët në veri dhe ekstra territorialitet për kishat ortodokse serbe”.
“Për t’i ikur përgjegjësisë edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Albin Kurti do të prodhojë kriza të vazhdueshme. Do të mundohet të nxisë zgjedhje jo vetëm këtë maj ose qershor në të cilin po hyjmë, po do të mundohet që të nxisë zgjedhje edhe në dimër, por edhe në pranverën e ardhshme”, tha ai.
Ai shtoi se Kurti po e përdor pushtetin dhe pozitën për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare dhe për të krijuar avantazh politik.
“Sado që është Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, sa të kemi këtë Bashkim Evropian që i bën presion për jetësimin dhe implementimin e marrëveshjes së Ohrit që vetë e ka pranuar, ai do të mundohet që të krijojë kriza. Dhe kështu i ka dy leva: Në njërën anë e ka pushtetin në dorë, i ka xhipat e blinduar me xhama të zi, i ka paratë e taksapaguesve të Kosovës të cilat i shpërndan dhe abuzon me to te qytetarët e Kosovës për të blerë vota. Në anën tjetër nuk ka përgjegjësi para bashkësisë ndërkombëtare sepse funksionon si ushtrues detyre”.
“Dhe atë që e ka bërë tash e pothuajse dy vjet për vete, që në shumicën e rasteve ka udhëhequr me ushtrues detyre, këtë do të mundohet ta bëjë edhe me Albulena Haxhiu, e cila 24 orë do t’i shërbejë agjendës së tij destabilizuese. Dhe unë mendoj, qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë parë se kush është fajtori. Albin Kurti nuk do dialog, Albin Kurti nuk do kompromis, Albin Kurti nuk do marrëveshje politike me asnjë parti shqiptare në Republikën e Kosovës. Prandaj, ai e bëri këtë spektakël që e bëri dhe Kosova shkoi në zgjedhje. Po edhe një herë po i paralajmëroj qytetarët e Republikës së Kosovës, e kam bërë edhe herën e parë në zgjedhje: pra, nëse qytetarët kanë menduar dhe mendojnë që me kaq e lë ky njeri, unë mendoj që edhe ne gabojmë, sepse ky do të mundohet që të na çojë sërish në zgjedhje pasi që këto zgjedhje të përfundojnë“, tha ai në një intervistë për EO.
Duke komentuar takimet e zhvilluara me opozitën, ai u shpreh se Kurti nuk ka dashur zgjidhje.
“Po, ekziston një përshtypje e zotit Kurti që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të gjithë analfabetë dhe nuk marrin vesh dhe nuk kanë vëmendje të asaj çka ka ndodhur deri sot. Sepse deri sot kanë qenë dy mënyra për me zgjedh presidentin e Republikës së Kosovës: 1.Përmes konsensusit të plotë, si në rastin e Atifete Jahjaga. 2.Përmes marrëveshjeve politike, siç është zgjedhur zoti Hashim Thaçi, zoti Ibrahim Rugova, zonja Osmani e kështu me radhë. Pra ekzistojnë dy rrugë për të bërë presidentin në Republikën e Kosovës. Dhe zoti Kurti e shpiku rrugën e tretë, atë të garës”.
“Pra, mbrëmë u shpërfaq ajo që gjatë gjithë kohës e ka fshehur. Në të gjitha takimet me liderë politikë, Kurti nuk ka dashur zgjidhje. Nuk ka dashur president sepse presidenten e ka Albulena Haxhiun. Në momentin që ajo është bërë ushtruese detyre, Albin Kurti më pas ka qenë veç instalacion politik për të fajësuar të tjerët dhe për t’u viktimizuar në mënyrë që të krijojë një narracion të ri për zgjedhjet që neve na presin“, shtoi Behrami./EO/






