Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë konsistence në qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjen e Ohrit.
Behrami ka deklaruar se Kurti nuk po e zbaton marrëveshjen e pranuar, pasi sipas tij, i shmanget përgjegjësisë për vendimet që ka marrë vetë.
“Kurti është frikacak, i frikësohet vendimeve që vetë i ka marrë. Kurti kur te sheh Albin Kurtin e natës që e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, njeriun që më së shumti e urren është ajo natë dhe vetën e tij. Prandaj, ai mundohet me i ikë dhe me fshi atë natë prej historisë dhe nuk guxon me implementu atë marrëveshje, sepse e di saktë se çfarë ka nënshkruar”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Behrami shtoi se qytetarët i kanë dhënë mjaftueshëm mundësi Kurtit gjatë viteve të fundit, por sipas tij, ai nuk ka treguar aftësi për të qeverisur.
Ndërkohë tha se falë sistemit demokratik në Parlament, kurrë s’do të prodhohet vetëm një parti e vetme sado që qytetarët e votojnë vetëm LVV-në.
“Qytetarët e Kosovës i kanë dhënë shumë shanse këtij njeriu përgjatë gjashtë viteve. Për gjatë gjashtë viteve, ky njeri nuk ka ditë me qeverisë. Sistemi ynë politik, demokratik nuk ka me prodhua kurrë një parti të vetme në Parlament, kot e kanë, le ta votojnë sa të donë. Nuk munden me prodhua vetëm një parti në Parlament, për ashtu le ta ringjallin Enver Hoxhen e Titon edhe le te bëjmë një sistem çfare ka qenë atëherë”, deklaroi ai.






