Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar sonte një takim me qytetarët në Kamenicë, ku ka folur për sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen familjet kosovare.
Hamza tha se realiteti i përditshëm i qytetarëve nuk matet vetëm me statistika, por me vështirësitë që ata hasin çdo ditë për të përballuar shpenzimet e jetesës.
Sipas tij, pagat e ulëta, rritja e kostos së jetesës dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë janë probleme që ndihen në çdo familje, në treg, në barnatore dhe në sistemin arsimor.
“Pyetja është e thjeshtë: Kush duhet të ndryshojë që të ndryshojë kjo gjendje? Kush duhet të ndryshojë që të ndryshojë Kosova?”, u shpreh Hamza para të pranishmëve.
Ai theksoi se përgjigjja për këto pyetje do të jepet nga qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit, duke përsëritur thirrjen e fushatës së PDK-së: “Stop krizës. Ndrysho Kosovën”.






