Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion edhe në objektin “Arting”, në afërsi të Hotel Derand në Prishtinë, ku operojnë edhe disa qendra të thirrjeve (Call Center).
Aksioni është pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër shpëlarjes së dyshuar të parave, i cili po zhvillohet në Prishtinë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë, në koordinim me autoritetet gjermane dhe ato të vendeve të tjera evropiane.
Në operacion janë angazhuar hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale.
Gjatë bastisjeve po kërkohen pajisje elektronike, dokumente financiare, para të gatshme dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova.






