Barcelona ka përfituar nga situata e tensionuar te rivali i madh, Real Madridi, për të dërguar një mesazh ironik pas raportimeve për përplasjen në stërvitje mes Aurelien Tchouamenit dhe Federico Valverdes.
Incidenti mes dy futbollistëve madrilenë bëri bujë të madhe në rrjetet sociale të enjten, ndërsa Real Madridi u detyrua të reagojë zyrtarisht duke konfirmuar përplasjen dhe duke bërë të ditur se Valverde ishte dërguar në spital për trajtim pas një dëmtimi në kokë.
Në anën tjetër, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick po kalon një moment shumë pozitiv dhe është vetëm dy fitore larg një rekordi historik në La Liga, duke synuar ta mbyllë sezonin me bilanc perfekt në ndeshjet në shtëpi.
Mes kaosit te madrilenët, Barcelona publikoi në rrjetet sociale një fotografi të mesfushorit Dani Olmo, i cili po festonte ditëlindjen me bashkëlojtarët, teksa kalonte në “korridorin” tradicional të ekipit.
Postimi u shoqërua me mbishkrimin: “duke festuar në familje”.
Në kontekstin e tensioneve te Real Madridi, ky postim u interpretua nga shumë tifozë dhe media si një “thumbim” i qartë i Barcelonës ndaj rivalëve të tyre të përjetshëm.
Klubi madrilen ka hapur procedure disiplinore ndaj të dy lojtarëve dhe, sipas raportimeve, secili prej tyre është gjobitur me nga 500 mijë euro.
Mediat spanjolle, transmeton klankosova.tv, raportojnë se ky incident është rezultat i tensioneve të vazhdueshme në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, ku skuadra thuhet se është ndarë në grupe mes atyre që mbështesnin ish-trajnerin Xabi Alonso dhe atyre që kërkonin largimin e tij.
Situata është bërë edhe më e rëndë pasi mbrojtësi Alvaro Carreras konfirmoi raportimet për një tjetër incident në stërvitje, ku thuhet se Antonio Rudiger e kishte goditur me shuplakë.
Këto zhvillime kanë krijuar një atmosferë të tensionuar te Real Madridi vetëm pak ditë para “El Clasicos” së madhe ndaj Barcelonës, një ndeshje që mund të jetë vendimtare për titullin e La Ligës.
Barcelona ka nevojë vetëm për një pikë në “Camp Nou” për ta siguruar matematikisht titullin kampion dhe për ta lënë rivalin pa një trofe madhor për sezonin e dytë radhazi.






