Barcelona ka hedhur hapat konkretë për transferimin e Rodrit, me negociatat për mesfushorin e Manchester Cityt që tashmë kanë nisur zyrtarisht.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, Rodri ka zhvilluar bisedime me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco, si dhe me trajnerin Hansi Flick, duke u dhënë katalanasve dritën jeshile për të avancuar me transferimin.
Raportohet se oferta zyrtare e kontratës nga Barcelona tashmë ndodhet në duart e agjentit të lojtarit, ndërsa klubi katalanas ka vendosur kontaktet e para edhe me Manchester Cityn për të nisur negociatat mes dy klubeve.
Kjo shënon fillimin zyrtar të operacionit për transferimin e Rodrit në “Camp Nou”, me Barcelonën që po punon për të finalizuar një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje.
Tashmë mbetet të shihet nëse Barcelona dhe Manchester City do të arrijnë një marrëveshje për shumën e transferimit, ndërsa dëshira e lojtarit për t’iu bashkuar kampionëve të Spanjës mund të luajë një rol kyç në negociata.






