Barcelona mund të përballet shumë shpejt me një vendim të rëndësishëm në “Pazar”.
Sipas raportimeve, klube nga Arabia Saudite janë gati ta paraqesin një ofertë rreth 90 milionë euro për Raphinhan.
Interesi nga Saudi Pro League është konkret dhe pritet të shoqërohet edhe me një kontratë shumë të majme për brazilianin, dukshëm më e lartë se paga e tij aktuale në Spanjë.
Megjithatë, aktualisht lojtari nuk e ka ndërmend të largohet.
Raphinha është i fokusuar te Barcelona dhe vetëm pak muaj më parë e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2028.
Nga ana sportive, ai mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës: këtë sezon i ka shënuar 19 gola dhe i ka bërë 8 asistime në 31 ndeshje, duke qenë një element kyç në repartin ofanziv.
Megjithatë, situata ekonomike e klubit katalunas vazhdon të jetë një faktor vendimtar.
Drejtuesit e klubit duhet të balancojnë mes ruajtjes së një lojtari të rëndësishëm dhe nevojës për t’i përmirësuar financat, sidomos në prag të afatit kalimtar veror.
Për këtë arsye, një shitje e bujshme nuk përjashtohet plotësisht.
Në këtë moment nuk ka ende një ofertë zyrtare, por në “Camp Nou” janë të vetëdijshëm se një propozim i tillë mund t’i ndryshojë skenarët.
Vendimi final do të merret vetëm pasi të analizohet çdo detaj – si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.






