Qytetarët e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë së shpejti nga përdorimi i telefonisë mobile në vendet e Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë të roamingut. Komisioni Evropian ka nisur negociatat me gjashtë vendet e rajonit, me qëllim që telefonatat dhe interneti mobil të përdoren sipas kushteve të paketave vendore, pa pagesat shtesë që aplikohen aktualisht për roamingun. Kjo synohet të arrihet në fillim të vitit të ardhshëm.
Komisioni Evropian ka hapur negociatat dypalëshe me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për përfshirjen e tyre në regjimin evropian të roamingut.
Nisma, e paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në rajon në tetor të këtij viti, synon t’u mundësojë qytetarëve të rajonit të përdorin telefonat e tyre në vendet e Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë të roamingut.
Kjo do të thotë se qytetarët që udhëtojnë nga Ballkani Perëndimor drejt BE-së dhe anasjelltas do të mund të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil sipas kushteve të paketës së tyre vendore, pa pagesat shtesë që aplikohen aktualisht për roamingun.
Procesi tani kalon në disa faza.
Fillimisht, Komisioni Evropian do të negociojë veçmas me secilin nga gjashtë partnerët e rajonit. Vendet duhet të harmonizojnë legjislacionin dhe rregullat e tyre me ato të Bashkimit Evropian për roamingun. Kjo përfshin edhe çështjet rregullatore dhe bashkëpunimin ndërmjet operatorëve të telekomunikacionit.
Pasi të përfundojnë marrëveshjet dypalëshe dhe të konfirmohet se vendet i kanë përmbushur kërkesat evropiane, Komisioni do t’i propozojë Këshillit të BE-së zgjerimin e zonës së roamingut, për të përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Evropian synon që heqja e tarifave shtesë të roamingut të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm. /RTK/






