Bahtiri i përgjigjet Çitakut: PDK synon zgjedhje të reja, jo konstituimin e institucioneve

- Advertisement -

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, duke e akuzuar këtë të fundit se partia e saj nuk është e interesuar për zgjidhjen e ngërçit politik, por për thellimin e krizës institucionale.

Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri iu referua deklaratës së Çitakut, e cila kishte thënë se PDK-ja është e interesuar që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më parë dhe se zgjedhja e presidentit nuk është “vend pune”, por i mundëson Albin Kurtit një qeverisje katërvjeçare.

Sipas Bahtirit, këto deklarata nënkuptojnë se PDK-ja synon konstituimin e Kuvendit vetëm për të nisur afatin ligjor për zgjedhjen e presidentit, me qëllim që, sipas tij, dështimi i zgjedhjes së kreut të shtetit ta çojë vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

Ai po ashtu pretendon se PDK-ja nuk është e interesuar për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por për bllokimin e këtij procesi, me qëllim që, sipas tij, të pengojë Albin Kurtin të qeverisë edhe për katër vjet.

“Ky është shpjegimi i vetëm i tërë deklaratës së saj. Këta nuk e duan zgjidhjen, këta e duan krizën!”, ka shkruar Bahtiri.

Në postimin e tij, deputeti i LVV-së shton se, sipas tij, me “lojëra të tilla” vendi është dërguar tri herë në zgjedhje dhe se e njëjta qasje po tentohet të përsëritet.

Të ngjashme

Të fundit