Tre persona kanë vdekur si pasojë e zjarrit në një banesë në Malishevë.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 12:55 në një banesë në lagjen “Mirdita” në Malishevë.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje.






