Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj, në Kompleksin Memorial në Gllogjan janë bërë homazhe.
Kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti Ramush Haradinaj, deklaroi se prilli i vitit 1999 ishte moment shumë vendimtar, pasi sipas tij duhej të merrej vendim ose të ndalohej ekspedita serbe, ose të heshtej fakti se forcat serbe do të masakronin familjet e tyre.
“Nuk është aq e thjeshtë sepse ishte një kohë e gjatë në luftë dhe ishin momente shumë vendimtare, pra prilli 1999….Vendimi i marrë ka qenë spontan nuk ka qenë i marrë me komandë, por ka qenë vendim i vet heronjve që sot i kujtojmë me shkua me ndalë një ekspeditë të ushtrisë serbe, të forcave serbe që kishin marrë atë drejtim te një vendndodhje të familjeve të civilëve shqiptarë që ishin strehuar, pra në një luginë në Duboçakë ishin shumë familje, shumë fëmijë, kish një kohë të gjatë që ishin ashtu edhe ata ishin në vështirësi me ushqime, me probleme dhe tani ishte një moment tepër i vështirë edhe i imi si me veprua a me dhënë një urdhër më shku me ndalë një ekspeditë serbe me aq pak potencial që ne kishim. Ekspedita ishte shumë e madhe… apo me hesht faktin se forcat serbe po shkojnë me i masakrua familjet tona, civilët e pambrojtur, gratë, fëmijët. Për fat këta ma lehtësuan mua nuk më lan mua me marr vendim, këta morën vet vendim”, tha Haradinaj.
Postimi i plotë:
Në Gllogjan e Maznik, në nder të 27-vjetorit të rënies së heronjve; Luan e Fatmir Nimanaj, Shkëlzen Haradinaj dhe Hasim Halilaj, si dhe 21-vjetorit të luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarë e miq, zhvilluam homazhe dhe morëm pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e Dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik, te lapidari i heronjve.
Luftëtarë sypatrembur, ata u bënë mburojë për popull dhe Atdhe. Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes së të cilës i qëndruan gjithmonë gatitu.
Pushofshin të qetë në lavdi të përjetshme!






