AVONET kërkon përgjegjësi për mungesën e ditarëve shkollorë

- Advertisement -

Mungesa e ditarëve shkollorë në shkollat e Kosovës ka vazhduar edhe në ditën e katërt të vitit të ri shkollor, duke nxitur reagimin e organizatës AVONET.

Organizata ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të japin sqarime për arsyet e vonesës dhe të tregojnë se kush mban përgjegjësi për mosfurnizimin e shkollave me këtë dokumentacion bazë.

Sipas AVONET, ditari shkollor nuk është thjesht një mjet administrativ, por shërben për evidentimin dhe dokumentimin e procesit mësimor.

“Fakti që mësimdhënësit, në ditët e para të vitit shkollor, nuk kanë në dispozicion një mjet elementar të punës, është i papranueshëm dhe ngre seriozisht çështjen e planifikimit dhe menaxhimit institucional të fillimit të vitit shkollor”, thuhet në reagimin e organizatës.

AVONET ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është planifikuar furnizimi me ditarë dhe pse ata nuk janë siguruar e shpërndarë para nisjes së mësimit.

Organizata konsideron se një vonesë prej katër ditësh nuk duhet të shihet si një problem i zakonshëm administrativ.

“Mungesa e ditarëve për katër ditë nuk duhet të trajtohet si një vonesë e zakonshme administrative, por si problem i planifikimit dhe koordinimit institucional”, vlerëson AVONET.

Në reagimin e saj, organizata ka kritikuar edhe mospërputhjen mes objektivave të deklaruara për modernizimin e arsimit dhe mungesës së mjeteve bazë të punës në shkolla.

“Është e pakuptimtë që në Kosovë të flitet për reforma të thella në arsim, digjitalizim, rritje të cilësisë dhe modernizim të sistemit arsimor, ndërkohë që shkollat përballen me mungesën e mjeteve elementare për zhvillimin dhe dokumentimin e procesit mësimor”, thuhet më tej.

AVONET i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të sqarojë publikisht situatën, duke kërkuar përgjigje për katër çështje: arsyen e mungesës së ditarëve, masat e ndërmarra për furnizimin e shkollave, afatin e pajisjes së të gjitha institucioneve arsimore dhe përgjegjësinë institucionale për vonesën

Të ngjashme

Të fundit