Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të Sali Bashotës, Agron Gashit, Petrit Musollit, Fadil Miftarit dhe Lirim Gecit, të cilët, nëpërmjet avokatit të njohur Labinot Vata, e kishin paditur Kuvendin e Kosovës në vitin 2021 për shkarkimin nga pozita e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Gjykata ka vendosur që anëtarët e shkarkuar të kompensohen për kohën e mbetur të mandatit të tyre. Shuma që duhet t’u kompensohet pesë ish-anëtarëve të Bordit të RTK-së kap vlerën e mbi 100 mijë eurove.
“Detyrohen të paditurit, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Radiotelevizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë, që në mënyrë solidare paditësve, në emër të kompensimit të të ardhurave personale, t’ua paguajnë shumat…”, është thënë në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2021, kishte shkarkuar Sali Bashotën, Agron Gashin, Lirim Gecin, Fadil Miftarin, Ilir Bytyçin, Bajram Mjekun, Petrit Musollin dhe Albinot Malokun nga Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës.
Vendimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së nga deputetët e Vetëvendosjes kishte ngjallur reagime të shumta. Ky vendim ishte kritikuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.
“Ndonëse qytetarët e Kosovës meritojnë llogaridhënie, shkarkimet duhet të mbështeten në prova transparente, ashtu sikurse edhe emërimet duhet të mbështeten në merita. Shkarkimet e njëanshme e të nxituara dëmtojnë institucionet publike dhe nuk trajtojnë problemet strukturore”, ishte thënë në reagimin e 9 korrikut të vitit 2021 të Ambasadës së ShBA-së, duke nënvizuar se “reformat efektive afatgjata kërkojnë një qasje të matur dhe metodike, duke vënë interesat e Kosovës në radhë të parë dhe politikat partiake mënjanë”.
Vendimi i Kuvendit ishte atakuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e opozitës, të kryesuar nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Gjykata Kushtetuese, në gusht të vitit 2023, kishte konstatuar se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, siç parashihet në Ligjin për RTK-në.
Krahas kësaj, anëtarët e shkarkuar të Bordit të RTK-së, Sali Bashota, Agron Gashi, Petrit Musolli, Fadil Miftari dhe Lirim Geci, kishin angazhuar në vitin 2021 avokatin Labinot Vata për të ushtruar padi ndaj vendimit të Kuvendit.
Dhe, pas një beteje të gjatë ligjore, avokati Vata ka arritur ta fitojë këtë rast gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë.






