Pak orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka reaguar avokati dhe analisti politik serb, Çedomir Stojkoviq.
Stojanoviq, duke ironizuar me presidentët serbë ka treguar ku ishin ata kur Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe sot kur Asambleja Parlamentare votoi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kur Kosova e shpalli pavarësinë, Boris Tadiq [presidenti i atëhershëm serb] iku në Rumani. Kur Kosova u pranua në Këshillin e Evropës, Aleksandar Vuçiq iku në Bosnjë”, ka shkruar Stojkoviq në platformën “X”.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Pro anëtarësimit të Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan.
Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.
Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj