Asociacioni, Demarkacioni, rrëzimi i Qeverisë Hoti: 10 aktgjykimet ku mori pjesë kandidati për president, Bekim Sejdiu

- Advertisement -

 

Bekim Sejdiu është emri për të cilin Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku u dakorduan të hënën si kandidat për president të Kosovës. Marrëveshja u bë publike pas takimit ndërmjet kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sejdiu e pranoi propozimin, duke deklaruar se është vënë në shërbim të Republikës dhe qytetarëve të saj. Megjithatë, marrëveshja ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut nuk e garanton ende mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së. Deputeti Avdullah Hoti, deklaroi publikisht se nuk e përkrah këtë marrëveshje.

Sejdiu ishte gjyqtar raportues në aktgjykimin përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Para rikthimit në qendër të zhvillimeve politike, Sejdiu kishte shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015 deri në dorëheqjen e tij më 2021.

Më poshtë do të sjellim dhjetë aktgjykime të rëndësishme, në të cilat emri i tij figuron në përbërjen e Gjykatës.

Duhet saktësuar se aktgjykimet janë vendime kolegjiale. Prania në përbërje nuk dëshmon automatikisht se si ka votuar individualisht secili gjyqtar.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Njëri nga rastet më domethënese është kur Gjykata shqyrtoi parimet e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Me shumicë votash, Gjykata konstatoi se Asociacioni do të themelohej sipas marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi.

Megjithatë, parimet e vitit 2015 u shpallën jo tërësisht në përputhje me frymën dhe disa dispozita të Kushtetutës.

Bekim Sejdiu figuron në përbërjen prej shtatë gjyqtarësh që shqyrtoi rastin.

Ligji për veteranët e UÇK-së

Gjykata shqyrtoi ndryshimet e Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.

Gjykata shpalli jokushtetuese një pjesë të nenit 3, ndërsa dispozitat e tjera të kontestuara i vlerësoi në pajtim me Kushtetutën.

Vendimi u mor njëzëri. Sejdiu ishte edhe anëtar i Kolegjit shqyrtues.

Demarkacioni me Malin e Zi

Në rastin KO45/18, u kontestua Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Gjykata vendosi njëzëri se procedura dhe ligji i ratifikimit ishin në pajtim me Kushtetutën.

Ajo refuzoi ta shqyrtonte përmbajtjen e marrëveshjes ndërkombëtare, duke konstatuar se kjo ishte jashtë juridiksionit të saj.

Sejdiu ishte pjesë e përbërjes së Gjykatës.

Ligji për ekipin e dialogut

Gjykata shqyrtoi Ligjin për Delegacionin shtetëror në dialogun me Serbinë.

Gjykata vendosi njëzëri se dispozitat kryesore cenonin ndarjen e pushteteve dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit, Qeverisë dhe kryeministrit.

Si rezultat, ligji u shpall në tërësi i papajtueshëm me Kushtetutën.

Bekim Sejdiu ishte kryesues i Kolegjit shqyrtues.

Emërimet në KQZ

Në rastin KO58/19, u kontestuan tetë vendime të presidentit për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjykata konstatoi se vendimet nuk ishin në kundërshtim me nenin 139 të Kushtetutës.

Sejdiu ishte pjesë e përbërjes së Gjykatës dhe anëtar i Kolegjit shqyrtues.

Kufizimet e përgjithshme gjatë pandemisë

Gjykata shqyrtoi vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes gjatë pandemisë COVID-19.

Gjykata vendosi njëzëri se kufizimet cenonin lirinë e lëvizjes, privatësinë dhe lirinë e tubimit.

Ajo përcaktoi se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm nëpërmjet ligjit të miratuar nga Kuvendi.

Sejdiu ishte anëtar i Kolegjit shqyrtues.

Mendimi mospajtues për karantinën në Prizren

Në Kushtetuese u shqyrtuan edhe masat kundër pandemisë në Prizren, Dragash dhe Istog.

Gjykata vlerësoi se pjesa më e madhe e kufizimeve të lëvizjes ishte kushtetuese.

Megjithatë, disa dispozita që përcaktonin kundërvajtje administrative u shpallën jokushtetuese.

Me shumicë votash, u shpall jokushtetues edhe vendimi për shpalljen e Prizrenit “zonë karantine”.

Pikërisht kundër këtij konstatimi votoi Bekim Sejdiu, duke paraqitur mendim mospajtues.

Ky është rasti ku dokumentohet qartësisht qëndrimi i tij individual.

Dekreti për mandatimin e Avdullah Hotit

Në rastin KO72/20, Gjykata shqyrtoi dekretin presidencial për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Gjykata konstatoi se presidenti mund ta mandatonte një kandidat të propozuar nga partia me gjasat më të mëdha për formimin e Qeverisë.

Pjesa kryesore e vendimit u mor me shumicë votash. Aktgjykimi nuk tregon individualisht se si votoi Sejdiu.

Ai ishte kryesues i Kolegjit shqyrtues.

Ligji i parë për Pagat

Gjykata shqyrtoi Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.

Me shumicë votash, ligji u shpall në tërësi jokushtetues.

Gjykata konstatoi se ligji cenonte ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit dhe garancitë e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Sejdiu figuron në përbërjen e Gjykatës, por aktgjykimi nuk e identifikon votën e tij individuale.

Aktgjykimi që rrëzoi Qeverinë Hoti

Roli më i drejtpërdrejtë i Sejdiut ishte në rastin KO95/20, ku ai shërbeu si gjyqtar raportues.

Gjykata konstatoi se Etem Arifi nuk kishte mandat të vlefshëm kur votoi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Pas përjashtimit të votës së tij, Qeveria rezultonte e zgjedhur me vetëm 60 vota të vlefshme, jo me 61 votat e kërkuara.

Gjykata e shpalli njëzëri jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë dhe përcaktoi se presidenti duhej të shpallte zgjedhje të reja.

Të ngjashme

Të fundit