“Asnjëherë nuk iu drejtua përkrahësve të vet”: Hamza godet Kurtin për ushtrinë e Facebook-ut

- Advertisement -

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka pasur kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mosndaljen e “ushtrisë së Facebook-ut”, siç i quajti ai përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje që, sipas tij, linçojnë thuajse secilin që mendon ndryshe nga kjo parti.

Hamza, në “Debat Plus”, ka theksuar se Kurti asnjëherë nuk iu është drejtuar përkrahësve të tij për ta ndërprerë këtë gjuhë.

“Një gjuhë linçuese, sulmuese, denigruese, pa filtra ndaj kujtdo që nuk është me ty. Sulm mediave, sulm partive politike, sulm liderëve, anëtarëve e familjarëve të partive politike, sulm bizneseve. Çka prodhon ky fjalor, ky diskurs, çka prodhon kjo energji? Përçarje, polarizime, probleme.

Asnjëherë Kurti, në asnjë rast, nuk iu ka drejtuar përkrahësve të vet që ta ndërpresin gjuhën linçuese e denigruese.

Kurti duhet të ndalet dhe duhet t’i ndalë që të mos e përdorin ushtrinë e Facebook-ut për ta polarizuar shoqërinë, për t’i ngritur tensionet, për ta pamundësuar komunikimin dhe për të prodhuar situata që nuk i nevojiten këtij vendi”, tha ai.

Hamza foli edhe për rastin në Skenderaj:

“Po flasim për rastin konkret me kryetar komune, por nuk është pozitë tjetër më e vogël, është zëvendësministër. Z. Lushtaku ka bërë shumë mirë, e ka marrë ftesën, është paraqitur në organet e drejtësisë dhe drejtësia e kryen punën e vet. Nëse është i pafajshëm, është procedura; nëse është i fajshëm, po ashtu është procedura.

Mua më vjen keq që atë natë ka ndodhur një rast i rëndë në Prishtinë dhe trajtohet me procedurë, ashtu siç i kanë rregullat organet e drejtësisë, policia dhe prokuroria. Uroj dhe besoj fort që Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë institucioni me besueshmërinë më të lartë te qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, kreu i PDK-së ka thënë se kjo po ndodh për faj të Kurtit.

“Në zgjedhje po shkojmë sepse ka kërkuar dhe ka punuar për të shkuar në zgjedhje zoti Kurti. Ka pasur mundësi të ketë stabilitet politik dhe institucional, mirëpo kur synohet që i gjithë pushteti të koncentrohet në një vend, atëherë dëmi i shkaktohet vendit.

Kësaj radhe, pa i pasur votat, i ka kërkuar të gjitha pushtetet për vete. Dhe normalisht që këto pozita nuk plotësohen pa marrëveshje politike. Për plotësimin e këtyre pozitave dhe konstituimin e institucioneve duhet të ketë marrëveshje politike.

Ka pasur mundësi që vendi të ketë president, Kuvendi të konstituohet, qeveria të votohet dhe normalisht vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Mirëpo nuk ka pasur vullnet dhe gatishmëri për një marrëveshje politike. Nuk ka pasur kompromise dhe seriozitet. Si rezultat i kësaj, ne shkojmë në zgjedhje më 7 qershor”, ka thënë Hamza.

Të ngjashme

Të fundit