Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, ka thënë se i takon Bashkimit Evropian të vendos se kush do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e emisarit special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
E pyetur nëse Borut Pahor do të ishte një “zëvendësues” i mirë për Lajçak-un, ajo theksoi se ish-presidenti i Sllovenisë është sigurisht një “lojtar i rëndësishëm” në atë që do të ndodh mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Unë vijë nga një vend që nuk është më në BE dhe nuk mund të ndërhyjë në atë diskutim. I takon BE-së të vendos se kush do të zëvendësojë Lajçakun. Kam respekt të madh për Pahorin. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer”, tha Ashton për mediumin serb Kosovo Online.
Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të emërohet si i Dërguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak, transmeton albanianpost.
Javë më parë u raportua në media se diplomati sllovak pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.
Duke cituar burime diplomatike, Radio Evropa e Lirë shkroi se Lajçak do të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.
Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të Deleguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.