Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka propozuar mobilizimin e ekspertizës juridike vendore dhe një angazhim të koordinuar institucional të Republikës së Kosovës në procesin ankimor të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Bajrami vlerëson se faza e ardhshme e procesit duhet të përqendrohet në argumentet juridike, analizën e provave dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme materiale dhe procedurale të gjykimit të shkallës së parë.
Ai thekson se mbrojtja e të akuzuarve nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata politike, protesta apo vlerësime historike për luftën e UÇK-së, por duhet të ndërtohet mbi argumente profesionale dhe standardet e së drejtës penale ndërkombëtare.
Si masë urgjente, Bajrami propozon themelimin e një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë, i cili do të përbëhej nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare.
Sipas propozimit të tij, ky komision do të kishte për detyrë të analizonte aktgjykimin e shkallës së parë, të identifikonte shkeljet e mundshme ligjore dhe procedurale, të shqyrtonte vlerësimin e provave dhe të përgatiste një ekspertizë gjithëpërfshirëse juridike në mbështetje të ekipeve të mbrojtjes.
Bajrami propozon që kjo ekspertizë të përfundojë brenda muajit nëntor, duke theksuar se puna e komisionit duhet të zhvillohet paralelisht me përgatitjet e avokatëve dhe nuk duhet të ndikojë në respektimin e afateve procedurale të ankimimit.
Në shkrimin e tij, ai rendit edhe disa nga drejtimet ku, sipas tij, duhet të përqendrohet strategjia e mbrojtjes. Ndër to janë kundërshtimi i konstatimeve faktike të gjykimit të shkallës së parë, analiza e përgjegjësisë individuale penale, vlerësimi kritik i dëshmive dhe provave, si dhe shqyrtimi i strukturës organizative dhe komanduese të UÇK-së.
Ai kërkon gjithashtu që të analizohet konteksti historik dhe juridik i luftës në Kosovë, si dhe të kundërshtohen, përmes provave konkrete, pretendimet për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.
Një tjetër propozim i Bajramit lidhet me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe monitorimin e pavarur të respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara.
Në këtë drejtim, ai kërkon që institucionet e Kosovës të komunikojnë me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës, me qëllim të sigurimit të mbështetjes për monitorim ndërkombëtar, transparencë dhe ekspertizë juridike.
Bajrami propozon gjithashtu që të studiohet përvoja e Kroacisë në rastin e gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët pas dënimit në shkallën e parë u liruan nga Dhoma e Apelit e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë më 16 nëntor 2012.
Sipas tij, ky rast duhet të analizohet për standardet e vlerësimit të provave, përgjegjësinë individuale penale dhe mënyrën se si janë kundërshtuar konstatimet e shkallës së parë, pa e kopjuar mekanikisht strategjinë në procesin aktual.
Në përfundim të propozimit të tij, ish-ministri thekson se Kosova duhet të veprojë me seriozitet, profesionalizëm dhe koordinim institucional, duke shmangur përplasjet partiake dhe ndërhyrjet politike në pavarësinë e gjykatës.
“Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet përmes së vërtetës historike, ndërsa pafajësia e të akuzuarve duhet të argumentohet përmes provave dhe standardeve të së drejtës penale”, ka shkruar Bajrami.
Ai e përmbyll reagimin me thirrjen që institucionet të veprojnë menjëherë, duke vlerësuar se faza e ankimimit kërkon një angazhim të organizuar juridik dhe profesional dhe se Kosova nuk ka kohë për të humbur.






