Anëtari i PDK-së në KQZ, Gashi, s’pajtohet me shkresën e Radoniqit për Kuvend

- Advertisement -

Përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka reaguar pas shkresës që kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i ka dërguar Kuvendit të Kosovës.

Sipas Gashit, nuk është nën kompetencën e KQZ-së që të kërkohet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe e drejta për të votuar deri në 10 kandidatë për deputetë të reduktohet në 5 ose 3 kandidatë.

Ai ka thënë se prioriteti i KQZ-së i përfshirë në planin e punës për vitin 2026 mbetet projekti për skanimin dhe leximin biometric të fletëvotimeve.

“Dokumenti i dërguar sot nga Kryesuesi i KQZ-së, z. Radoniqi, në Kuvendin e Kosovës, rrjedh nga konkluzionet e punëtorisë lidhur me mësimet e nxjerra nga procesi zgjedhor. Prioriteti ynë, i përfshirë edhe në planin e punës për vitin 2026, ka qenë dhe mbetet projekti për skanimin dhe leximin biometrik të fletëvotimeve. Propozimi për ndryshimin e ligjit lidhur me numrin e kandidatëve që duhet të votohen në fletëvotim nuk ka marrë mbështetjen time, pasi e konsideroj se nuk është në kompetencën e KQZ-së të përcaktojë këtë çështje ligjore dhe politike. Prandaj, kam refuzuar që ai të përfshihet si çështje e dalë nga KQZ”, ka shkruar Gashi.

Gashi ka shkruar se “Administrimi i procesit zgjedhor nuk mund të lidhet e as të kufizohet vetëm në çështjen e numrit të kandidatëve, por përfshin një sërë çështjesh problematike, ku numri i kandidatëve as nuk do të mbetej problem për diskutim”.

Sipas tij “paaftësia e disa hallkave të KQZ-së në funksionimin dhe menaxhimin e procesit nuk mund ta nxjerrë fajtor mënyren e procesit të votimit, por mënyrën e administrimit të tij”.

 

Të ngjashme

Të fundit