Ambasada ripërsërit thirrjen e Prattipatit: Bashkohuni në një partneritet afatgjatë me SHBA-në për të siguruar të ardhmen energjetike

- Advertisement -
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rishpërndarë sot opinionin e publikuar dje nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, përmes të cilit bëhet thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.

 

Prattipati, përmes një editoriali, i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Prattipati ka vlerësuar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, duke theksuar se afati po mbaron.

Sipas saj, Kosova mund të lidhet përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci apo me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e Gazit Natyror të Lëngshëm në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

Ajo ka paralajmëruar se vonesat për marrjen e një vendimi të tillë, mund ta lënë Kosovën si të vetmen në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.

“Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan”, ka paralajmëruar Prattipati.

“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, theksohet në editorial.

Prattipati ka deklaruar se gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

“Lidhja me një projekt gazsjellësi tashmë të planifikuar do të shkurtonte afatin kohor dhe do të ulte shpenzimet. Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese”, thuhet në editorialin e Prattipatit.

Diplomatja amerikane ka theksuar se përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj, në rast se nuk u bashkohet këtyre projekteve.

Ajo u është referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, sipas të cilave, në katër vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje

“Centralet elektrike me gaz natyror ofrojnë aftësinë për të përmbushur më mirë rritjen e kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet gjatë periudhave të pikut. Zgjerimi i prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike përtej kërkesës së vendit do të përmirësonte pavarësinë energjetike dhe do t’i mbronte konsumatorët nga lëvizjet e papritura të çmimeve”, ka thënë ajo, duke shtuar se Administrata Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.

Të ngjashme

Të fundit