Trafiku në pikat kufitare dhe urat ndërkombëtare vazhdon të zhvillohet me kufizime, si pasojë e fluksit të shtuar të udhëtarëve. Në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit, si dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta, njofton Ambasada e Kosovës në Zagreb.
Më tej, në njoftimin e Ambasadës thuhet:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, përmes atasheut të MPB-së, z. Sefadin Kuçi, është në komunikim të vazhdueshëm me Stacionin Policor në Grude, i cili ka në përgjegjësi zonën ku ndodhen dy vendkalimet kufitare me Malin e Zi. Sipas përgjegjësve policorë, autoritetet janë duke bërë maksimumin për të menaxhuar situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin në këto pika kufitare.
Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga autoritetet më 2 gusht, në orën 11:58, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, në pikën kufitare Karasovići, pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen pritje disaorëshe, me kolona që arrijnë disa kilometra. Ndërkaq, në pikën kufitare Vitaljina, pritjet në dalje janë rreth katër orë.
Kryetari i Komunës së Konavlës, në territorin e së cilës ndodhen dy vendkalimet kufitare, z. Božo Lasić, ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile. Është bërë thirrje banorëve lokalë që të shtyjnë të gjitha udhëtimet me automjete personale që nuk janë të domosdoshme, me qëllim uljen e bllokimeve dhe rritjen e sigurisë në trafik. Ndërkohë, policia po devijon një pjesë të qarkullimit në rrugë alternative, ndërsa banorët lokalë po ndihmojnë udhëtarët duke u shpërndarë ujë dhe duke u ofruar mundësinë e përdorimit të tualeteve.
Gjithashtu, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tre orë.
Në gjithë territorin e Republikës së Kroacisë janë evidentuar kolona të gjata në pothuajse të gjitha autostradat, si pasojë e fluksit të shtuar të automjeteve. Kufizimet infrastrukturore në disa ura vazhdojnë të ndikojnë në qarkullimin e automjeteve të rënda.
Situata ka ndikuar edhe në transportin publik, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në orare. Bashkatdhetarë që gjatë ditës së djeshme kanë shfrytëzuar shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë kanë kontaktuar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb, duke bërë të ditur se vonesat arrijnë deri në tre orë.
Udhëtarëve dhe transportuesve u rekomandohet që, gjatë planifikimit të udhëtimeve, të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale.






