Aliu pas intervistimit në Prokurori: Kam vepruar në përputhje me ligjin, ndihem i lehtësuar

- Advertisement -

Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, deklaroi se gjatë intervistimit në Prokurori ka sqaruar të gjithë procesin që lidhet me pretendimet ndaj tij, duke theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës ka vepruar në përputhje me ligjin dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ai tha se pas dy vitesh ka pasur mundësinë të japë versionin e tij dhe se ndihet i lehtësuar.

Pas përfundimit të intervistimit, Aliu tha se nuk ka asnjë vendim që mund të lidhet me të në këtë rast.

“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me ardhë edhe me e sqaru pak situatën para prokurorisë për gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje i cili ka degradu aq shumë, por që unë i jam përgjigj me heshtje deri tani. Pata mundësinë me e sqaru që për gjithë procesin, për gjithë periudhën sa unë kam qenë ministër, kam vepru në përputhje pikërisht me ligjin. Kam vepru sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim i cili mundet me u ndërlidhë mu me këtë proces. Po ashtu, për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituam nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ka pas rekomandime dhe është vepru në bazë të rekomandimeve. Ka pas auditim të brendshëm, ka pas edhe hetim, i cili e qartëson shumë qartë pozitën e ministrit si staf politik karshi punës në administratë. Ka qenë një rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj nga fillimi deri në fund gjithë punën dhe tani jam i lehtësum”, tha ai.

Avokati i tij, Artan Qerkini, tha se Aliu i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë pa hezitim dhe ka dhënë të gjitha sqarimet e kërkuara në cilësinë e personit të dyshuar.

“Zoti Aliu i është përgjigj ftesës së prokurorisë pa asnjë hezitim. I ka dhënë të gjitha spjegimet për funksionin e tij si ministër, të gjitha përgjegjësitë që i ka pas në lidhje me pretendimet e prokurorisë, dhe mendoj se ka kontribu në mënyrë substanciale që kjo çështje të zbardhet. Në cilësin e përsonit të dyshuar”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit