Analisti Artan Alijaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas njoftimeve për bashkëpunim mes Vjosa Osmani dhe LDK.
Sipas tij, ky bashkëpunim nuk nënkupton bashkim të plotë politik, por një marrëveshje për garë të përbashkët në zgjedhje, pas së cilës mund të ketë sërish ndarje.
“Në bazë të asaj që kemi parë si nga zonja Osmani ashtu edhe nga LDK, nuk shihet një bashkim me parti politike, por një listë e përbashkët. Kjo lë të kuptohet se pas procesit zgjedhor mund të ketë sërish ndarje mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së, pasi kjo është bërë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Nuk kemi bashkim, kemi marrëveshje për të garuar bashkë me një listë,” ka deklaruar Alijaj në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai shtoi se procesi nuk paraqet formalizim të plotë politik, por më shumë një marrëveshje elektorale.
“Formalizim nuk do të ketë sepse procedurat brenda partisë nuk janë përmbyllur dhe ka pasur pakënaqësi të ndryshme brenda saj. Më shumë kemi të bëjmë me menaxhim të situatës brenda partisë dhe një zyrtarizim të vonuar. Ajo që kemi dëgjuar nga krerët e LDK-së është për një listë të përbashkët me Osmanin, jo për një bashkim të mirëfilltë,” ka shtuar Alijaj.






