Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në kuadër të hetimeve për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”, janë sekuestruar nëntë automjete që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të Departamentit të Përgjithshëm, aksioni është realizuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, duke u bazuar në nenin 277/K të Ligjit nr. 08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Automjetet e sekuestruara janë të markave të ndryshme: tre vetura të tipit Seat Leon, dy Volkswagen Polo, një Golf 8, një Audi A6, një Volkswagen Jetta dhe një Peugeot 2008 Allure.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie, me qëllim sigurimin e saj deri në përfundim të procedurës penale.






