Këto komente, Ahmeti i ka bërë në fjalën e tij para qytetarëve në Kërçovë, në tubimin elektoral, ku kërkoi votën e qytetarëve të kësaj komune për kandidatin e “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Këta e kanë mendjen te pushteti, nuk e kanë mendjen te misioni”, deklaroi Ahmeti.
Kështu që, sipas tij, “nuk duhet të merremi me ta, dhe bëjnë mirë që vetëm të mos bëjnë lajme të rrejshme, është përçarë BDI-ja, Aleanca, PDSH-ja… ne vetëm na rritet dhe forcohet jeta, por le të jenë më konstruktiv, le të jenë më aktiv”, derisa i bëri thirrje që të merren me atë që në të vërtetë duhet të merren.
“VMRO-ja çdo ditë more na sulmon se gjoja shqiptarët e morën shtetit. Jo more s’kemi marr ne shtet të huaj. Ne jemi në shtetin tonë dhe marrim shtetin tonë”, iu përgjigj Ahmeti akuzave të partisë nacionaliste maqedonase.
Përveç kësaj, Ahmeti përgjigje pati edhe për akuzat rreth korridorit 8, dhe për këtë referencë mori historinë.
“Dëgjoj deklarata të autoriteteve të ndryshme politike se gjoja gjithë korridori i 8 po ndërtohet në ‘Shqipëri të Madhe’. E madhe apo e vogël korridori i 8 kalon nëpër këto hapësira, këto janë hapësira tona. Po t’i kthemi historisë Iliri kanë qenë, por ne nuk luftojmë që të dalim në Istër, as në gjysmën e Italisë. S’mund ta mohojë askush se ka qenë tokë e Ilirisë”, potencoi.
Përkundër kësaj, kreu i BDI-së theksoi se “ne duam të avancojmë të punojmë dhe të ecë përpara vendi ynë, shteti ynë, komunat tona të përparojnë”, duke insistuar se pikërisht ky është synim i këtij fronti.
“Po ta dija se është i përkohshëm s’do t’i hyja fare kësaj pune, por kam qenë me bindje se të rinjtë e duan bashkimin. Këtij bashkimi dhe këtij misioni duhet t’i qëndrojmë besnik”, porositi ai.
Sa i përket kandidaturës së Osmanit, Ahemti e vlerësoi lartë përgatitjen e tij në krahasim me kundërkandidatët e tjerë, derisa u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin atë.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.
Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë, nga 7 sa janë pretendent gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër është Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Albin Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.