Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka qëndruar sot në Prizren, ku në stadiumin “Përparim Thaçi” ka ndjekur nga afër ndeshjen e xhiros së parë të Ligës së Parë ndërmjet FC Liria dhe FC Ferizaj.
Ademi theksoi rëndësinë e mbështetjes së klubeve, futbollistëve dhe tifozëve, duke vlerësuar atmosferën që krijohet në stadiumet e Kosovës.
“Është gjithmonë kënaqësi të jem pranë klubeve, futbollistëve dhe tifozëve tanë, aty ku ndihet më së miri emocioni i futbollit”, ka deklaruar Ademi.
Ai uroi që edicioni i ri i Ligës së Parë të sjellë futboll cilësor, rivalitet të shëndoshë dhe korrektësi sportive, duke bërë thirrje për tribuna të mbushura dhe atmosferë pozitive gjatë gjithë kampionatit.
“Të gjithë së bashku dëshirojmë dhe do të punojmë që kampionati të ecë mbarë dhe çdo ndeshje të jetë festë e futbollit”, është shprehur presidenti i FFK-së.
Në fund, Ademi uroi suksese për FC Lirinë, FC Ferizajn dhe të gjitha klubet pjesëmarrëse në edicionin e ri të kampionatit.






