Është ndarë nga jeta Bedrudin Havolli, një nga emrat e njohur të futbollit llapjan dhe atij kosovar, i cili gjatë viteve ’70 dhe ’80 la gjurmë të rëndësishme si futbollist i Llapit dhe Flamurtarit të Prishtinës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka pritur me pikëllim edhe Federata e Futbollit të Kosovës. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të tij dhe të Komitetit Ekzekutiv, ka shprehur ngushëllime për familjen Havolli, të afërmit, miqtë dhe ish-bashkëlojtarët e tij.
Havolli kujtohet si mbrojtës i shquar dhe kapiten me karakter të fortë, i cili e përfaqësoi fanellën me përkushtim, sakrificë dhe dashuri për futbollin. Kontributi i tij vlerësohet si pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit të Llapit dhe Flamurtarit të Prishtinës.
Përveç karrierës sportive, Bedrudin Havolli dha një kontribut të çmuar edhe në edukimin e gjeneratave të reja. Për shumë vite ai punoi si pedagog i kulturës fizike në Podujevë, ku edukoi dhe frymëzoi të rinj, duke përcjellë tek ata vlerat e sportit, disiplinës, përgjegjësisë dhe njerëzores.
“Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli kosovar humbi një nga figurat e një gjenerate që e jetoi sportin me pasion, karakter dhe sakrificë. Por emri dhe vepra e Bedrudin Havollit do të mbeten pjesë e kujtesës së futbollit dhe brezave që ai edukoi”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Në fund të mesazhit të tij, Ademi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Havolli, të afërmit, miqtë, ish-bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan ish-futbollistin.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Bedrudin Havollin!”, ka shkruar Ademi.






