Afati për presidentin po skadon, rrezikohet shkuarja në zgjedhje të parakohshme

- Advertisement -

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përballet me një afat vendimtar për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, deri më 28 prill, ky afat i caktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në rast se nuk arrihet një marrëveshje politike, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat sipas ligjit duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani më 4 prill, detyrën e ushtrueses së presidentes e ka marrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu në përputhje me Kushtetutën.

Në këtë situatë, Kurti ka nisur takime me liderët opozitarë, duke zhvilluar së fundmi një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa ka paralajmëruar bisedime edhe me drejtuesin e Partisë Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje para skadimit të afatit.

Analistët politik nuk presin që vendi mund të ketë president të ri, sipas tyre Kosovën e presin zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku parashikojnë se Lëvizja Vetëvendosje do të ketë rënie të elektoratit pas zhvillimeve të fundit politike, derisa opozita do të jetë në favor.

Visar Ymeri: LVV rrezikon rënie elektorale pas ndarjes Kurti-Osmani, vështirë ta sigurojë shumicën pa opozitën

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në një prononcim për “Front Online” ka thënë se në situatën aktuale politike, perceptimi i qytetarëve për shkaktarët e krizës do të jetë vendimtar nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

Sipas tij, ndryshe nga viti i kaluar, kryeministri Kurti dhe LVV-ja e kanë më të vështirë të fajësojnë të tjerët për situatën e krijuar.

“Natyrisht që në situatën e krijuar dhe ato të ngjashme si kjo po bëhet tejet e rëndësishme se kush shihet nga qytetarët si shkaktarë i krizës dhe arsyeja e shkuarjes në zgjedhje. Për dallim prej vitit të kaluar Kurti dhe VV e kanë shumë të vështirë të fajësojnë të tjerët për krizën për shkak të madhësisë së GP të tyre dhe votës së 28 dhjetorit në përgjithësi”, tha Ymeri.

Ai thotë se një tjetër element që e dallon situatën aktuale është ndarja mes Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani, ku kjo mund të ketë ndikim në mbështetjen elektorale të LVV-së.

“E dyta që është ndryshe këtë radhë natyrisht që është edhe ndarja e Kurtit nga Vjosa Osmani. Nuk është e lehtë të përcaktohet saktë se cili do të jetë efekti i kësaj ndarjeje ama për që do të ketë ndikim në votën e VV-së kjo është më se e sigurt”, ka shtuar ai.

Ymeri parashikon një rënie të fuqisë elektorale të LVV-së.

“Unë parashoh një rënie të fuqisë elektorale të LVV-së. Nuk mendoj që rënia do të jetë shumë e madhe, gjasat janë shumë të mëdha që LVV të mos e ketë shumicën që ia mundëson qeverisjen pa njërën prej partive që tash janë në opozitë”, deklaroi Ymeri.

Ai shprehet se rezultati zgjedhor do të varet edhe nga performanca e partive të tjera.

“Kjo do të varet edhe nga mënyra se si përformojnë partitë tjera, dhe nga aftësia e tyre për t’i bindur qytetarët që edhe duan të fitojnë, edhe mund të fitojnë dhe e dijnë se për çka duan të fitojnë”, u shpreh Ymeri për “Front Online”.

Demhasaj: Zgjedhjet do ta ndëshkojnë LVV-në, opozita në favor

Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj ka deklaruar për “Front Online” se një proces i ri zgjedhor në vend nuk do të ishte në favor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Demhasaj vlerëson se dërgimi i vendit në zgjedhje në këtë situatë do të ndëshkohej nga elektorati.

Ai shton se një skenar i tillë do t’i shkonte për shtat partive opozitare.

“Zgjedhjet nuk janë në favor të Kurtit as VV sepse nëse njëherë ti ka dhënë populli 51% dhe nuk je i aftë dhe vullnet me i jep shtetit president dhe e dërgon vendin në zgjedhje kjo ka me qenë hakmarrëse ndaj VV dhe kjo shkon në favor të partive opozitare dhe varësisht qysh mbërrijnë partitë atë pakënaqësi me kthyer në votë”, tha Demhasaj.

Sipas tij, nuk ka një përpjekje serioze për të zgjedhur presidentin, ndërsa shton se ekziston mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“LVV do t’i kushtojë në votë kjo situatë dhe ajo që po e sulmojnë Vjosa Osmanin pasi një kohë të gjatë e kanë mbrojtur. S’ka tendencë serioze për t’i jep president vendit me shumë gjasë vendi shkon në zgjedhje. Kurti po duket sikur po blenë kohë për t’u munduar me gjetur një fajtor dhe në zgjedhje ta fajësojë një parti që vendi ka mbet pa president”, ka thënë Demhasaj për “Front Online”.

Analisti politik: Pasiviteti i opozitës po i shkon në favor Kurtit

Analisti politik, Artan Muhaxheri ka vlerësuar për “Front Online” se bazuar në situatën aktuale politike në vend, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme për shkak të mungesës së vullnetit për arritjen e një kompromisi për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Muhaxherit, përgjegjësia bie si mbi pozitën, ashtu edhe mbi opozitën.

“Sipas situatës aktuale zgjedhjet janë të pashmangshme nuk ka asnjë vullnet elementar të përfaqësuesve partiak të lidershipit që ta gjejnë një zgjidhje adekuate të kompromisit mungon vullneti edhe nga Kurti që t’i ftojë përfaqësuesit e opozitës për të pasur dalje nga kjo bllokadë as opozita nuk ka treguar ndonjë bashkëpunim është treguar pasive”, deklaroi ai.

Muhaxheri thotë se nëse opozita ndryshon qasje do të fitojë përqindje në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse opozita do të jetë pasive, Kurti do ta ruaj këtë pushtet këtë bllokadë do ta vej në favor të tij, nëse opozita kfillet dhe vepron ashtu siç duhet për të ofruar zgjidhje do të ketë rritje të % në zgjedhje dhe do të këtë ulje të % të VV”, u shpreh ai.

Të ngjashme

Të fundit