Pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj akuzave të partisë në pushtet mbi rritjen e LDK-së në votat e ardhura me postë. Ai ka theksuar se këto pretendime janë të pabazuara dhe nuk mund të përdoren për të zhvlerësuar procesin zgjedhor.
“Sa i përket votave të mërgatës, nuk mund të flasim me emra të përveçshëm. Ajo çfarë mund të themi është që LDK-ja është e dëshpëruar që nuk ka arritur plot 40 mijë vota siç ka projektuar më parë, për shkak të punës së madhe brenda katër viteve të kaluara,” tha Abdixhiku.
Ai tha se çdo ankesë për procesin zgjedhor duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse. “Për çdo ankesë, për aq sa është e drejtë dhe e bazuar, janë institucionet përkatëse, le të drejtohen aty, do t’i respektojmë. Nuk mund të pretendojmë rrënim të procesit zgjedhor vetëm se është rritur LDK-ja,” tha ai.
Sipas tij, votat e mërgatës nuk mund të zhvlerësohen vetëm sepse partia në pushtet nuk ka arritur të sigurojë 51 mandate, siç kishte pretenduar.
“Nuk mund të pretendojmë zhvlerësim të votave të mërgatës për një kandidat të mërgatës, vetëm se partia në pushtet s’i ka marrë 51 mandate. Nuk është argument të thuhet se LDK-ja është rritur dhe votat janë të pavlefshme. Kjo i bie që ne s’kemi të drejtë që të rritemi,” tha ai.