Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me ironi ndaj përfshirjes së Baton Haxhiut dhe Berat Buzhalës në zhvillimet politike që lidhen me LDK-në.
Abdixhiku tha se, sipas tij, situata nuk është e mirë kur Haxhiu dhe Buzhala merren me agjendën politike të LDK-së dhe zhvillojnë takime me deputetët e kësaj partie para mbledhjeve të Grupit Parlamentar.
“Kur Baton Haxhiu e Berat Buzhala bëjnë agjenda politike të LDK-së edhe kur i takojnë deputetët para Grupit Parlamentar, pasha Zotin, punët i kemi keq”, tha Abdixhiku, në mënyrë ironike.
Kreu i LDK-së theksoi se nuk synon bashkimin e LDK-së me asnjë parti, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nëse dikush e ka ëndërr me dalë me Samin e me dalë në sheshe edhe me i ba partitë bashkë, për besë, nuk është kjo LDK-ja jonë. I kanë votues të veçantë, i kanë të tjerë ata. I kemi rivalë të gjithë, ne jemi në garë, por s’kemi të përbashkët asgjë”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, Abdixhiku tha se me një president nga LDK-ja, sipas tij, Kosova do të përfitonte shumë.
“Me president të LDK-së do të kemi marrëveshje, Kosova do të fitonte shumë”, përfundoi Abdixhiku./Gazeta10/






