A po bëhet Kosova me president?

- Advertisement -
Pas pajtimit për profilin e presidentit, nga LVV dhe LDK po vijnë sinjale se së shpejti mund të kalohet te emrat konkretë, ndërsa koha deri në përfundimin e mandatit të u.d. presidentes po shkurtohet.

Pas pajtimit për profilin e presidentit, nga LVV dhe LDK po vijnë sinjale se së shpejti mund të kalohet te emrat konkretë, ndërsa koha deri në përfundimin e mandatit të u.d. presidentes po shkurtohet.

Kosova ende nuk e ka emrin e presidentit të ardhshëm, por pas javësh negociatash dhe mosmarrëveshjesh, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vijnë sinjale se diskutimet mund të jenë duke iu afruar fazës së kandidatëve konkretë.

Dy partitë, të vetmet që deri tani janë ulur seriozisht për të diskutuar një marrëveshje politike, kanë deklaruar se në takimin e fundit kanë arritur pajtueshmëri për profilin dhe kriteret që duhet t’i plotësojë presidenti i ardhshëm. Ajo që ende mungon është emri.

Dhe koha nuk është e pakufizuar. Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës Albulena Haxhiu mund ta ushtrojë detyrën e presidentes, ndërsa vendi tashmë ka kaluar nëpër zgjedhje të parakohshme pa arritur ta zgjidhë këtë çështje.

Urgjencën e zgjedhjes së presidentit e ka ngritur këto ditë edhe ish-kongresisti amerikan dhe lobisti shumëvjeçar për Kosovën, Joe DioGuardi. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai u ka bërë thirrje partive që të arrijnë kompromis sa më shpejt.

“Mos i merrni gjërat si të mirëqena. Unë jam këtu për t’u siguruar që ju ta keni një president”, deklaroi DioGuardi.

Një ditë më vonë ai përdori një gjuhë edhe më alarmuese, duke thënë se “serbët po mobilizohen” dhe se Kosova nuk duhet ta lejojë vazhdimin e krizës politike.

“Erdha këtu për t’u siguruar që Kosova të mos marrë fund. Por nëse nuk kemi një president nesër, Kosova ka marrë fund”, tha ai, duke kërkuar nga politikanët kompromiset e nevojshme.

Në të njëjtën kohë, edhe brenda LDK-së po shprehet optimizëm se faza e emrave mund të jetë afër.

Deputeti Ukë Rugova ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress se beson se së shpejti mund të ketë një kandidat konsensual, madje duke iu referuar edhe thirrjes së DioGuardit.

“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave, ashtu siç e tha edhe kongresisti DioGuardi”, ka thënë Rugova.

Ai e ka përjashtuar veten si mundësi për këtë post, duke thënë se në këtë fazë ka “emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur” për t’i shërbyer Kosovës.

Sinjale të ngjashme po vijnë edhe nga LVV-ja. Deputetja Arbërie Nagavci ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se pret që shumë shpejt të arrihet pajtueshmëri me LDK-në.

Sipas saj, në takimin e fundit nuk është diskutuar dhe as dakorduar një kandidat konkret. Marrëveshja deri tani ka të bëjë me kriteret dhe parimet që duhet t’i plotësojë presidenti ose presidentja e ardhshme, në mënyrë që të jetë figurë e pranueshme për palët.

LVV-ja, sipas Nagavcit, i ka propozimet e veta, por nuk dëshiron të publikojë emra përpara arritjes së një marrëveshjeje me partitë e tjera.

Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm nga fazat e mëhershme të bisedimeve, kur vetë posti i presidentit ishte një prej pikave kryesore të përplasjes mes LVV-së dhe LDK-së.

LDK-ja ka insistuar që asaj t’i takojë e drejta për ta propozuar presidentin, si pjesë e balancës së pushtetit në një koalicion eventual. LVV-ja, ndërkaq, ka kërkuar që marrëveshja të pasqyrojë rezultatin e zgjedhjeve, ku ajo siguroi 53 mandate kundrejt 18 të LDK-së.

Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa ministri. LDK-ja nuk e kishte konsideruar ofertën të mjaftueshme, duke kërkuar Presidencën dhe disa ministri në vend të postit të kryeparlamentarit.

Lumir Abdixhiku kishte paralajmëruar madje se, nëse LDK-së nuk i jepej mundësia ta propozonte kandidatin për president, nuk shihte më hapësirë për vazhdimin e bisedimeve.

Megjithatë, takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku morën pjesë edhe Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, prodhoi një rezultat të ri: palët thanë se ishin pajtuar për profilin e presidentit dhe se diskutimet e ardhshme do të duhej të çonin drejt emrave.

Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së është vendimtare edhe për numrat. Së bashku me partnerët, ato mund të arrijnë minimumin prej 80 deputetësh, prania e të cilëve është e nevojshme për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërkohë, PDK dhe AAK nuk janë përfshirë në negociatat që Kurti ka kërkuar për një marrëveshje të përbashkët politike.

Të ngjashme

Të fundit