Organizatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se janë intensifikuar përgatitjet në diasporë për ditën e vendimit të Gjykatës Speciale për katër krerët e UÇK-së.
I ftuar në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Tasholli ka treguar se në Hagë do të organizohet një natë pritjeje më 15 shtator, ku mërgata do të mblidhet për të përcjellë pastaj edhe seancën gjyqësore të 16 shtatorit.
Sipas tij, grumbullimi do të nisë në orën 22:00 në parkun e Hagës, ku do të ketë edhe aktivitete të ndryshme.
“Presim atmosferë shprese dhe festive, me idenë që me 16 do të marrim lajme të mira. Çlirimtarët atje janë në betejën e tyre të fundit por janë në betejën për Kosovën, në betejën për pastërtinë e ushtarit të lirisë dhe në betejën e vërtetësisë që ky shtet nuk është kriminal siç e kanë artikuluar kojshitë tanë”, tha Tasholli në Rubikon.
Ai theksoi se organizimi në Hagë është pjesë e një mobilizimi më të gjerë të mërgatës në Evropë, ndërsa shtoi se përveç në gjithë Kosovën mbi 200 orë numëruese janë vendosur edhe në qytete të ndryshme të Evropës.
“Edhe orët që i kemi vendosë në gjithë Kosovën, edhe në diasporë janë mbi 200 nëpër qytete të ndryshme, ato tash po numërojnë mbrapshtë”, deklaroi ai.
Tasholli bëri të ditur se mbi 200 vullnetarë nga shtete të ndryshme i janë bashkuar platformës “Liria ka Emër”, me qëllim të informimit të mërgatës me organizimet për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor.






