Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është zyrtarisht lojtar i Fenerbahçes. Klubi turk ka konfirmuar transferimin e sulmuesit të Kovës, i cili rikthehet në Stamboll pas gjashtë vitesh.
Muriqi ka kaluar me sukses kontrollet mjekësore para kompletimit të transferimit të tij te Fenerbahçe.
Muriqi largohet nga Mallorca pas një sezoni të shkëlqyer, ku realizoi 23 gola në kampionat dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës spanjolle.
Për 32-vjeçarin, ky është kapitulli i dytë me fanellën e Fenerbahçes, pasi më parë kishte luajtur për klubin turk gjatë sezonit 2019/20, ku spikati me paraqitjet dhe golat e tij, duke fituar zemrat e tifozëve verdheblu.
Sipas raportimeve, Fenerbahçe dhe Mallorca kanë arritur marrëveshje për një transferim me vlerë rreth 15 milionë euro, ndërsa Muriqi pritet të jetë një nga figurat kryesore të repartit ofensiv të skuadrës për sezonin e ri.
Rikthimi i “Piratit” në Fenerbahçe është pritur me entuziazëm nga tifozët e klubit, të cilët e konsiderojnë atë një nga sulmuesit më të dashur që ka veshur fanellën e ekipit në vitet e fundit.






