Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria e kaluar e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje e mban përgjegjësinë kryesore për situatën në të cilën është vendi, pas rënies në 24 pozita më poshtë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se për të përmirësuar këtë dhe për të ndalur këtë situatë duhen veprime konkrete, dhe të menjëhershme nga institucionet shtetërore.
“Propozojmë depolitizimin e Komisionit të Pavarur për Media, pavarësi e plotë e rregullatorit medial nga ndërhyrjet politike. Hartimi i legjislacionit të ri që rregullon mediat, të zhvillohet një proces gjithëpërfshirës për ligjet e reja që prekin mediat, përfshirë edhe Ligjin për KPM-në”.
“Të hartohen në bashkëpunim me shoqërinë civile, Këshillin e Evropës dhe ekspertë ndërkombëtarë. Ky qëllim forcon kornizën ligjore dhe mbron lirinë e shtypit. Depolitizimi i menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së, për më tepër duhet të garantohet pavarësia editoriale e tij nga çdo ndikim partiak. Mbështetje financiare ndaj RTK-së, ku të rritet dhe të garantohet financimi i qëndrueshëm i RTK-së me qëllim të forcimit të rolit të tij si media e pavarur publike”.
“Ashpërsimi i dënimeve që sulmojnë gazetarët, të ndryshohet legjislacioni penal për të parashikuar sanksione më të ashpra ndaj atyre që kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht e verbalisht gazetarët. Duhet të lansohen skema konkrete dhe mbështetëse për gazetarinë hulumtuese”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka shtuar se LDK mendon se zbatimi i masave të propozuara nga ky subjekt do të krijonte kushte për të nxjerrë vendin nga kriza e lirisë së mediave