Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka deklaruar se rendi kushtetues nuk lë hapësirë për interpretime të tjera sa i përket krijimit të institucioneve të reja, duke theksuar se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, më pas të zgjidhet presidenti dhe vetëm pas kësaj të formohet qeveria.
Hasani tha se Kapitulli i katërt i Kushtetutës rregullon çështjen e Kuvendit, i pesti presidentin, ndërsa i gjashti qeverinë, duke argumentuar se ky është edhe rendi që duhet të ndiqet.
“Duhet së pari konstituimi i Kuvendit, pastaj zgjedhja e presidentit dhe më pas zgjedhja e qeverisë. Çdo rrugë tjetër do të ishte rrugë e gabuar”, deklaroi ai.
Sipas Hasanit, Kosova aktualisht nuk ka institucione me mandat të plotë, por vetëm ushtrues detyre, gjë që, sipas tij, e bën edhe më të domosdoshëm respektimin e procedurave kushtetuese.
Ai foli edhe për çështjen e mandatimit të kandidatit për kryeministër, duke thënë se po bëhen interpretime të gabuara lidhur me kompetencat e ushtruesit të detyrës së presidentit.
“Kur presidenti është i penguar ta kryejë detyrën, mandati kalon te kryetari i Kuvendit, i cili njëkohësisht është ushtrues detyre i presidentit. Në këto rrethana ai do të kishte mundësi ta propozojë mandatarin për formimin e qeverisë”, u shpreh Hasani.
Duke komentuar procedurat pas ankesave zgjedhore, ish-kryetari i Gjykatës Supreme tha se afatet ligjore janë shumë të shkurtra dhe se institucionet duhet të vendosin pa vonesa.
“Procedurat janë të shpejta. PZAP vendos dhe afatet janë shumë të shkurtra. Varet sa ankesa ka, por nuk mund të zgjasë shumë. Edhe Gjykata Supreme duhet të vendosë shumë shpejt, brenda dy ose tri ditësh. Besoj se vendimi mund të merret edhe brenda ditës”, deklaroi Hasani.






