Analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon një krizë të brendshme, e cila sipas tij ishte paralajmëruar që nga kuvendi i fundit zgjedhor i partisë.
I ftuar në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Hoxha tha se mbështetja për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte qenë më e ulët në procesin e rizgjedhjes, ndërsa pas zgjedhjeve pakënaqësitë janë shfaqur edhe më hapur.
“Kjo është një krizë që u manifestua fillimisht me zërin e Hykmete Bajramit dhe Avdullah Hotit. Pas zgjedhjeve ajo u rrit në mbështetje nga degë kyçe si Lipjani, Peja, tash edhe Deçani dhe një degë e Prishtinës”, tha Hoxha.
Megjithatë, ai theksoi se këtë situatë nuk e sheh si dobësi, por si një element pozitiv për LDK-në.
“Besoj që këtë element duhet ta shohim pozitivisht. Nuk e shoh si dobësi, por si përparësi të Lidhjes Demokratike. Është subjekti i vetëm që, përkundër betejave për pushtet, arrin ta ruajë kohezionin e brendshëm. LDK ka pasur gara të forta për kryetar dhe ka arritur t’i mbijetojë krizave të tilla edhe në të kaluarën”, u shpreh ai.
Sipas Hoxhës, megjithatë, është e qartë se Abdixhiku po përballet me kundërshtim brenda partisë.
“Që Lumir Abdixhiku është në një krizë, është. Mendoj se ekziston një grup njerëzish të pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së dhe ai grup sot është më i fortë në kundërshti. Kur e kundërshton Abdixhikun, ka më shumë argumente dhe peshë politike”, deklaroi analisti.
Ai shtoi se dobësia kryesore e këtij grupi është mungesa e një alternative të qartë për drejtimin e partisë.
“Nuk mund ta refuzosh vetëm udhëheqjen e LDK-së pa pasur një opsion real. Dobësia e këtij grupi është heterogjeniteti. Nuk tregon koherencë dhe as një alternativë të mjaftueshme për ta zëvendësuar Lumirin”, tha Hoxha.
Në fund, ai apeloi që palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, duke paralajmëruar se ndarjet e reja nuk do t’i shërbenin partisë.
“LDK duhet ta ketë parasysh se ndarja dhe rindarja nuk është opsion. Nuk është në interes që Lumiri t’i humbë Bajramin e Hotin, por as ata ta humbin Abdixhikun. Duhet të gjendet një marrëveshje për të ecur përpara, duke i njohur dallimet që kanë”, përfundoi Hoxha.






