Lindja e Mesme nuk është destinacion i pashkelur nga ushtria e Kosovës.
Mirëpo zbarkimi në Gazë, mbetet ndërmarrja më serioze për Forcën e Sigurisë së Kosovës, edhe e rrezikshme njëkohësisht.
Ky fakt ka shtyrë Ministrinë e Mbrojtjes që ta ndryshojë dhe plotësojë Ligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, për t’u siguruar ushtarakëve siguri financiare shtesë, edhe për lëndime.
Përveç transportit, pajisjeve të nevojshme për operacion dhe stërvitje, pagave, shtesat në paga, ushqimit, akomodimit, sigurimit shëndetësor dhe jetësor, do të krijohet bazë ligjore për kompensimin për lëndim, humbje jete apo gjymtim në mision.
Ministria kishte krijuar Rregullore të veçantë për lëndimet, por jo nen specifik që do të mundësonte zbatimin e atij akti nënligjor.
Një ushtarak që pëson gjymtim duhet të kompensohet nga 70 deri në 100 mijë euro. Kjo shumë i takon familjes në rast të vdekjes aksidentale.
Nëse pjesëtari i Forcës mbetet i paaftë përgjithmonë, i takon kompensim nga 150 deri në 200 mijë euro.
Deri në 300 mijë euro është vlera që mund të përfitojë për shërbime mjekësore.
Operacioni në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e obligon FSK-në ndër të tjera, për të ndihmuar në stabilizimin dhe sigurimin e një ambienti të qetë e të menaxhojë ri-ndërtimin e vendit.
Ekipi i zgjedhur nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, aktualisht po kryen vëzhgimin dhe kontrollin e zonës, për ta përgatitur personelin.
Më herët FSK ka zbarkuar në Kuvajt, Belizë e në Britani të Madhe në kuadër të operacionit INTERFLEX për të stërvitur ukrainasit.






