Lajme

Ymeri: Kurti mashtroi tri herë në Kuvend për Asociacionin

By GAZETA SCANNER 1

November 13, 2023

Analisti Visar Ymeri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, në seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës ku u diskutua për draft-statutin e Asociacionit, ka mashtruar së paku tri herë.

Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri ka thënë se “mashtrimi i qëllimshëm” është për t’u dënuar.

“Kryeministri mburrej me pikën 7, sepse mundohej ta shihte si sukses që përmes kësaj pike e shmangë Asociacionin. Kjo ose ka qenë mashtrim i qëllimshëm që është për t’u dënuar kur vjen nga një kryeministër ose ka qenë mosdije që po ashtu do të duhej të ishte e ndëshkueshme kur vjen nga një kryeministër. E kemi të freskët debatin në parlamentin e Kosovës për këtë çështje, dhe aty kryeministri ka mashtruar së paku tri herë në pyetjet kur ia parashtronte kryetari i LDK-së, a është i bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, asnjëherë s’ka thënë po, a e ka arbitrazhin asnjëherë nuk e ka pranuar, a merr kompetenca prej komunave asnjëherë nuk ka pranuar”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, sa më shumë që krerët e vendit japin shembuj për mosrespektim të të drejtave të serbëve as më shumë do të ketë dokumente më të rënda për t’i mbrojtur ato.

“Sa më shumë që ne japim shembuj të mosrespektimit të drejtave të serbëve aq më të rënda do të jenë dokumentet për t’i mbrojtur ato të drejta, sa më shumë që japim shembuj që nuk  i përfillim vendimet e gjykatave tona aq më të rënda do të jenë aranzhimet për mbrojtje të tyre”.

Ymeri e konsideron gabim, insistimin e Kurti për ta rihapur temën e Asociacionit.

“E hapi temën u bë shumë më keq. Në vend se të shkonte sipas vendimit të 2015-tës, ai e ka rihapur edhe njëherë, dhe kemi ardhur në një dokument më të keq”.