Ylli Limani mysafir në natën e tetë të protestës “Jo në emrin tim”: Flasin Leonora Jakupi dhe Resul Sinani

- Advertisement -
Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të vazhdojë protesta në kundërshtim të vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo e mërkurë shënon natën e tetë të protestës, dhe si çdo natë tjetër, organizohet me fillim nga ora 21:00.

Protesta “Jo në emrin tim” vijon sonte me natën e tetë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku krahas fjalimeve dhe mesazheve të protestuesve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë edhe performancën e këngëtarit Ylli Limani.

Mbrëmja e sontme, e cila nis në ora 21:00, do të shoqërohet edhe me fjalime nga këngëtarja Leonora Jakupi, si dhe gazetari dhe veterani i luftës çlirimtare, Resul Sinani.

Në program janë paraparë gjithashtu fjalime nga organizatori i protestës, Çlirim Haziri, studentet Aolta Bajrami dhe Alma Ramaj, si dhe aktivisti Arianit Elshani.

Protesta “Jo në emrin tim” është organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka kaluar më shumë se një javë nga dënimi i padrejtë i ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe institucionet e Kosovës ende nuk kanë ndërmarr asnjë veprim konkret.

Ndonëse shprehja e pakënaqësisë së qytetarëve nuk është ndalur për asnjë ditë, Qeveria e Kosovës ka dhënë vetëm deklarata boshe.

Kjo i ka nervozuar protestuesit që po e kundërshtojnë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në shesh prej 7 ditësh.

Njeri nga organizatorët e kësaj proteste, Çlirim Harizi, mbrëmë ka paralajmëruar se java e dytë e protestave nuk do të jetë si java e parë.

Në adresimin e tij para protestuesve, ai ka thënë se qytetarët nuk do të lodhen.

“Prandaj sonte, pas një jave, nga ky shesh po ua themi qartë institucioneve: mos prisni që java e dytë të jetë si e para! Nëse mendoni se koha punon kundër këtij sheshi — gaboheni! Nëse mendoni se heshtja do të na lodhë — gaboheni! Sepse çdo ditë pa përgjigje do të na gjejë përsëri këtu. Dhe sa më gjatë të heshtni, aq më shumë do të rritet zëri i këtij sheshi!”, ka thënë ai.

Ai ka falënderuar gjithë qytetarët për mbështetjen e protestës.

“Vëllezër dhe motra, Sonte dua t’ju falënderoj secilin prej jush. Sepse këtë protestë nuk e mban një njeri. Nuk e mban një organizatë. Nuk e mban një parti. E MBANI JU! Ju që vini natë pas nate. Ju që nuk jeni lodhur. Ju që nuk jeni larguar. Ju që nuk keni heshtur. Prandaj sonte mos e humbni zemrën! Shtatë ditë nuk janë fundi! Shtatë ditë janë vetëm fillimi”, ka deklaruar ai.

Deri me tani Qeveria Kurti nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të plotësimit të kërkesave të protestuesve, të cilët kanë kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe fuqizimin e mbështetjes financiare për mbrojtjen e ish-krerë të UÇK-së.

Këtë javë PDK-ja e ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por partia e Albin Kurtit nuk është deklaruar pro këtij ndryshimi.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe të shqyrtojë pasojat juridike që mund të sjellë ndërhyrja në këtë fazë të procesit gjyqësor.

Në një përgjigje për Ekonomia Online, LVV ka theksuar se kërkesa e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit nuk është tërhequr dhe se, për këtë arsye, sipas tyre, duhet të pritet vendimi i Gjykatës dhe të analizohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij.

“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, ka thënë LVV për Ekonomia Online.

Sa i përket projektligjit të dorëzuar nga PDK-ja, LVV ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik, duke përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që mund të ketë në procedurat që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara. Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast”, është thënë në përgjigjen e LVV-së.

Të ngjashme

Të fundit