Bernardo Silva është kapiteni i ri i kombëtares së Portugalisë, pas pensionimit të Cristiano Ronaldos nga futbolli ndërkombëtar, ka konfirmuar përzgjedhësi Jorge Jesus.
Golashënuesi më i mirë në histori të Real Madridit njoftoi të enjten pensionimin nga kombëtarja, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme me fanellën e Portugalisë.
Ronaldo e kishte mbajtur shiritin e kapitenit të Portugalisë për shumë vite, ndërsa pensionimi i tij, pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Jesus gjatë pushimit të fundit të kombëtareve, krijoi një vend të lirë në grupin drejtues të ekipit.
Tashmë, Bernardo Silva është konfirmuar si kapiteni i ri i Portugalisë, pasi është futbollisti me më së shumti paraqitje për kombëtaren pas largimit të Ronaldos.
Mesfushori 32-vjeçar, i transferuar gjatë verës te Real Madridi, ka regjistruar 115 paraqitje me Portugalinë. Pas tij renditen Bruno Fernandes me 97, Ruben Dias me 84, Joao Cancelo me 77 dhe Ruben Neves me 73 ndeshje.
“Në kombëtare, kapitenët zgjidhen në bazë të numrit të paraqitjeve ndërkombëtare. Aktualisht janë pesë futbollistë me më së shumti paraqitje. Është interesante se të gjithë kanë qenë lojtarët e mi në klubet që kam drejtuar”, deklaroi Jesus, sipas “AS”.
“Logjika do të mbetet e njëjtë. Futbollisti me më së shumti paraqitje pas Cristiano Ronaldos është Bernardo Silva”, konfirmoi përzgjedhësi i Portugalisë.
“Pastaj janë Ruben Dias, Joao Cancelo, Ruben Neves dhe Bruno Fernandes. Jo sipas ndonjë renditjeje të veçantë, por këta janë pesë futbollistët që do të jenë kapitenë”, shtoi ai.
I përfshirë në listën e lojtarëve për ndeshjet kundër Danimarkës dhe Uellsit në Ligën e Kombeve të UEFA-s gjatë pushimit të ardhshëm të kombëtareve, Bernardo tashmë do ta udhëheqë Portugalinë.
Real Madridi e transferoi Bernardon si lojtar të lirë gjatë verës, pasi kontrata e tij me Manchester Cityn skadoi në fund të sezonit të kaluar.
Mesfushori veteran pati një fillim jo shumë të mirë te skuadra madrilene, ndërsa Jose Mourinho nuk e aktivizonte rregullisht.
Megjithatë, kjo ka ndryshuar javëve të fundit, me Bernardon që ka fituar gjithnjë e më shumë rëndësi dhe ndikim në ekip. Ai shkëlqeu në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës në “El Clasico”.
Deri më tani, ai ka regjistruar 12 paraqitje me “Los Blancos” në të gjitha garat, duke realizuar nga një gol dhe një asistim./






