Edhe pse asnjë kombëtare afrikane nuk arriti deri në finalen e Kupës së Botës 2026, ndikimi i kontinentit afrikan vazhdon të jetë i pranishëm në ndeshjen më të madhe të futbollit botëror.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës është përballja e tretë në katër edicionet e fundit të Botërorit mes një skuadre evropiane dhe një përfaqësueseje nga Amerika e Jugut. Shpresat e Afrikës për të pasur një përfaqësuese në aktin final u shuan pas eliminimit të Marokut në çerekfinale nga Franca, një ekip që ndër vite ka pasur shumë futbollistë me origjinë afrikane.
Megjithatë, lidhja e Afrikës me finalet e Kupës së Botës ka qenë e fortë prej dekadash dhe vazhdon edhe në vitin 2026. Spanja ka në përbërjen e saj dy futbollistë me prejardhje afrikane: Nico Ëilliams, me origjinë nga Gana, dhe Lamine Yamal, babai i të cilit është nga Maroku, ndërsa nëna nga Guinea Ekuatoriale.
Williams ka pasur një rol të kufizuar në këtë Botëror për shkak të një dëmtimi, ndërsa Yamal ka qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm të Spanjës, edhe pse deri tani ka shënuar vetëm një gol në turne.
Historia e finaleve të Botërorit është e mbushur me shembuj të ndikimit afrikan. Në vitin 1998, Franca fitoi titullin e parë botëror me futbollistë si Marcel Desailly, i lindur në Ganë, dhe Zinedine Zidane, me prindër nga rajoni i Kabylisë në Algjeri. Në atë finale ndaj Brazilit, rol pati edhe Patrick Vieira, i lindur në Dakar.
Në Botërorin 2002, Gerald Asamoah, me origjinë nga Gana, luajti në finalen ku Gjermania u mposht nga Brazili, ndërsa në vitin 2014, Jerome Boateng, me prejardhje nga Afrika Perëndimore, ishte pjesë e Gjermanisë kampione në Rio de Janeiro.
Finalja e vitit 2010 ishte e vetmja e zhvilluar në kontinentin afrikan, në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut, ku Spanja mposhti Holandën pas kohës shtesë.
Edhe triumfi i Francës në vitin 2018 u ndërtua me shumë futbollistë me rrënjë afrikane. Në atë skuadër ishin Samuel Umtiti me origjinë nga Kameruni, Paul Pogba me prejardhje nga Guinea, N’Golo Kanté me prindër nga Mali, Blaise Matuidi me rrënjë angoleze dhe kongoleze, si dhe Kylian Mbappé, babai i të cilit është nga Kameruni.
Në finalen e fundit të Botërorit, atë të Katarit në vitin 2022, Franca sërish kishte shumë lojtarë me origjinë afrikane, përfshirë Mbappe-n, Ousmane Dembele, Jules Kounden, Aurelien Tchouamenin dhe Dayot Upamecanon.
Kjo traditë vazhdon edhe në vitin 2026, duke dëshmuar se pavarësisht mungesës së një ekipi afrikan në finalen e madhe, kontinenti vazhdon të ketë një ndikim të madh në historinë dhe identitetin e Kupës së Botës.






