Spanja pranë një rekordi historik – nuk është arritur asnjëherë nga një kombëtare

- Advertisement -

Spanja është vetëm një hap larg shkrimit të historisë në futbollin botëror. Nëse triumfon këtë të diel në finalen e Kupës së Botës 2026, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të bëhet vendi i parë në histori që mban njëkohësisht titullin e kampionit të botës si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

Një arritje e tillë nuk është realizuar kurrë më parë dhe do të ishte dëshmi e nivelit të jashtëzakonshëm, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së futbollistëve dhe futbollisteve spanjolle në epokën moderne.

Deri më tani, në 23 edicionet e zhvilluara të Kupës së Botës për meshkuj kanë triumfuar vetëm tetë kombëtare: Brazili (5 tituj), Gjermania (4), Italia (4), Argjentina (3), Franca (2), Uruguai (2), Anglia (1) dhe Spanja (1).

Ndërkohë, në nëntë edicionet e Kupës së Botës për femra kanë fituar vetëm pesë vende: Shtetet e Bashkuara (4 tituj), Gjermania (2), Norvegjia (1), Japonia (1) dhe Spanja (1).

Vetëm Gjermania dhe Spanja kanë arritur ta fitojnë Kupën e Botës si te meshkujt ashtu edhe te femrat, por asnjëra nuk e ka bërë këtë duke i mbajtur njëkohësisht të dy titujt botërorë.

Gjermania nuk e arriti kurrë këtë rekord

Kombëtarja e Gjermanisë tek mashkujt u shpall kampione e botës në vitet 1954 (Zvicër) dhe 1974 (Gjermani Perëndimore), por në atë periudhë nuk ekzistonte ende Kupa e Botës për femra. Edhe pse kishte turne jozyrtarë në vitet 1970 dhe 1971, të fituar nga Danimarka, si dhe një turne në vitin 1988 të fituar nga Norvegjia, FIFA nuk organizonte ende Botërorin zyrtar për femra.

Gjermania fitoi sërish Kupën e Botës për meshkuj në vitin 1990 në Itali, por gjatë periudhës kur mbante titullin, kombëtarja e femrave arriti vetëm vendin e katërt në Botërorin e parë zyrtar të vitit 1991 në Kinë.

Titulli i fundit botëror i Gjermanisë te meshkujt erdhi në vitin 2014 në Brazil, por gjatë këtij cikli kombëtarja e femrave kaloi nga çerekfinaliste në Botërorin e vitit 2011 në Gjermani në vendin e katërt në Botërorin e vitit 2015 në Kanada.

Historia e Spanjës te meshkujt dhe femrat

Kombëtarja mashkullore e Spanjës fitoi Kupën e saj të vetme të Botës në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, falë golit historik të Andres Iniestës në finalen ndaj Holandës.

Në atë periudhë, kombëtarja e femrave nuk kishte arritur ende të kualifikohej në një Kupë Bote. Debutimi i saj në këtë turne erdhi vetëm në vitin 2015.

Kombëtarja e femrave shkroi historinë në vitin 2023, kur fitoi Kupën e Botës në Australi dhe Zelandën e Re. Goli i Olga Carmonas në finale ndaj Anglisë i solli Spanjës yllin e parë botëror.

Në atë kohë, kombëtarja mashkullore vinte pas eliminimit në fazën e 1/8 së finales në Botërorin e Katarit 2022.

Spanja do të mbrojë titullin botëror të femrave verën e ardhshme në Brazil, turne për të cilin tashmë është kualifikuar.

Spanja, numri një edhe në renditjen e FIFA-s

Në shtator të vitit 2025, Spanja u bë vendi i parë në histori që kryesonte njëkohësisht renditjen e FIFA-s si te meshkujt, ashtu edhe te femrat.

Kombëtarja e drejtuar nga Luis de la Fuente e nisi Botërorin 2026 si numri dy në renditjen botërore, pas Argjentinës. Megjithatë, në rast fitoreje në finalen e së dielës, Spanja do ta rikthejë vendin e parë, duke lënë pas Argjentinën.

Ndërkohë, kombëtarja e femrave, e drejtuar nga Sonia Bermúdez, vazhdon të mbajë vendin e parë në botë, përpara Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.

Dominimi i Spanjës në të gjitha kategoritë

Sukseset e Spanjës nuk kufizohen vetëm te kombëtaret A, por shtrihen në pothuajse të gjitha grupmoshat.

Te meshkujt:

  • Finaliste e Kupës së Botës 2026.
  • Kampione e Evropës në vitin 2024.
  • Nënkampione e Ligës së Kombeve në vitin 2025.
  • Kombëtarja U17 është gjysmëfinaliste e Kampionatit Evropian 2026 dhe e kualifikuar për Kupën e Botës 2026.
  • U19 është kampione e Evropës 2026.
  • U20 arriti në çerekfinale të Kupës së Botës 2025.
  • U21 ishte çerekfinaliste e Evropianit 2025.
  • U23 fitoi medaljen e artë olimpike në vitin 2024.

Te femrat:

  • Kampione në fuqi e Botës (2023).
  • Nënkampione e Evropës (2025).
  • Kampione e Ligës së Kombeve (2025).
  • Vendi i katërt në Lojërat Olimpike 2024.
  • U17 është gjysmëfinaliste e Evropianit 2026, arriti në 1/8 e finales së Botërorit 2025 dhe është kualifikuar për edicionin e ardhshëm të vitit 2026.
  • U19 është kampione e Evropës 2026.
  • U20 ishte çerekfinaliste e Kupës së Botës 2024 dhe tashmë është kualifikuar për Botërorin e vitit 2026.

Nëse Spanja arrin të mposhtë Argjentinën në finalen e Kupës së Botës 2026, ajo jo vetëm që do të rikthehet në majën e futbollit botëror te meshkujt, por do të hyjë në histori si kombi i parë që mban njëkohësisht titullin e kampionit të botës si te meshkujt ashtu edhe te femrat, duke vulosur një epokë dominimi të paprecedentë në futbollin ndërkombëtar.

Të ngjashme

Të fundit