Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahir Geci, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, shkruan Scanner.
.
Përmes një deklarate publike, Geci tha se vendimi ka ardhur pas një reflektimi të kujdesshëm, duke theksuar se kjo nuk nënkupton largim nga aktiviteti politik.
Ai ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij brenda PDK-së, me fokus në forcimin e strukturave partiake dhe mobilizimin e qytetarëve për të mbështetur kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza.
Geci ka falënderuar qytetarët për mbështetjen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe për përkrahjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pavarësisht se nuk arriti të sigurojë mandat.
Ai theksoi se do të mbetet aktiv në jetën politike dhe publike të vendit, duke përmendur edhe përvojën e tij si ish-gjeneral i FSK-së dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në deklaratën e tij, Geci foli edhe për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke shprehur besimin në pafajësinë e tyre dhe shpresën për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Kosovë.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, miq dhe përkrahës të mi,
Pas një reflektimi të kujdesshëm, kam vendosur që në zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor të mos kandidoj për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ky vendim nuk nënkupton tërheqje nga aktiviteti politik. Përkundrazi, do të vazhdoj angazhimin tim të plotë në kuadër të PDK-së, duke dhënë kontributin tim të pakursyer për forcimin e strukturave tona dhe për mobilizimin sa më masovik të qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe ta mbështesin kandidatin për Kryeministër, Bedri Hamzën.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj nga zemra të gjithë votuesit e mi që më besuan në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, ku mora besimin qytetar dhe u zgjodha deputet i Kuvendit të Kosovës. Një falënderim të veçantë kam edhe për të gjithë ata qytetarë që më mbështetën në zgjedhjet e 28 dhjetorit, edhe pse nuk arrita të siguroj mandatin e deputetit. Besimi juaj ka qenë dhe mbetet motivimi im më i madh.
Si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së dhe si ish-gjeneral i FSK-së, do të vazhdoj të jem aktiv në jetën politike dhe publike të vendit tonë, gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror.
Angazhimi ynë politik buron edhe nga obligimi moral e kombëtar ndaj liderëve tanë që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe shpresoj që sa më shpejt të kthehen pranë familjeve të tyre dhe në Kosovën, e cila ka shumë nevojë për ta.
Me respekt,
Xhevahir Geci






